24-11-2024

Vjedhjet në Has, për policinë rastet nuk përbëjnë shqetësim

Derisa banorë të fshatrave të Hasit janë ankuar për shtimin e rasteve të vjedhjeve në këtë pjesë, zyrtarët policor në Prizren rastet e tilla nuk i kanë vlerësuar si shumë shqetësuese, duke thënë se tashmë janë kapur disa persona të dyshuar, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Kohët e fundit është raportuar për raste të shtuara të vjedhjeve në trevën e Hasit, që nuk ka qenë karakteristikë e mëparshme, pasi ky rajon konsiderohet ndër më të qetit në vend.

Një banor i Ramajës, me mbiemrin Qenaj,  që nuk preferoi t’i përmendet emri, i klasifikoi si shqetësuese hajnitë e paraqitura, ndërsa tha se ato kanë ndodhur nëpër shtëpie e dyqane të kësaj ane. “Janë vjedhur edhe lopë e vetura nga oborret. Njërit ia kanë vjedh veturën, e tjetrit vetëm tabelat e veturës dhe sigurisht ia kanë vënë veturës tjetër të vjedhur për të humbur gjurmë”, ka treguar ai për portalin “GazetaePrizrenit.net”.

Një shqetësim i tillë është diskutuar edhe në mbledhjen e Këshillit Komunal të Sigurisë në Bashkësi të Prizrenit, që vepron në kuadër të Komunës, e ku bëjnë pjesë akterë të rëndësishëm të sigurisë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë theksuar se në këtë zonë kanë shtuar praninë e pjesëtarëve si edhe veprimet operativo-hetimore.

Vehbi Zekolli, zv/komandant në stacionin e policisë “Alfa” në Prizren, ka thënë se vetëm gjatë muajit shtator janë kapur disa grupe hajdutësh, por nuk tregoi konkretisht për sa persona bëhet fjalë dhe nga janë ata.

“Në aspektin e sigurisë vjedhjet në rajonin e Hasit janë në suaza të normales, ashtu sikur ndodhin kudo e jo në atë shkallë, siç janë paraqitur nëpër media si shqetësuese.Pavarësisht se synojmë të arrijmë ta zhdukim këtë dukuri, është e pamundur ta zhdukim në pikën në zero”, ka thënë ai.

Kapiteni Zekolli, ka njoftuar se polic me rroba dhe vetura civile janë duke patrulluar nëpër fshatra të Hasit, në mënyrë që të identifikojnë keqbërësit.

Në këtë kontekst, Hasan Tërshani, komandanti i stacioni tjetër të policisë në Prizren, atij të Veriut, që gjendet në fshatin Lubizhdë, ka thënë se përkundër që policia është për të ofruar siguri, por për shkak të rasteve të vjedhjeve nëpër shtëpi, duhet apeluar tek qytetarët që gjërat e vlershme të largohen nga shtëpia, derisa ata nuk janë të pranishëm aty.

“Në rast të vjedhjeve duhet të kihet kujdes, dhe rastet të raportohen shpejt pa i prish provat, të cilat janë shumë të rëndësishme për dëshmitë në Gjykatë”, ka thënë ai./ /GazetaePrizrenit.net/.

Asnjë koment

Comments are closed.