23-11-2024

A do të ketë prishje të konkursit për drejtorë apo të koalicionit qeverisës në Prizren?

Konkursi për drejtorë dhe zv.drejtorë të shkollave në Prizren, duket se është bërë shkak për pakënaqësi tek partnerët e koalicionit qeverisës lokal, pasi LDK, po pret qëndrimin përfundimtar të kryetarit Mytaher Haskuka, për ta shqyrtuar mbetjen apo daljen nga qeverisja lokale, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Publikimi i  listës me kandidatët e propozuar për drejtorë shkollash në konkursin e përsëritur, ka shkaktuar pakënaqësi. Fillimisht përfaqësues dhe zyrtar nga LDK në qeverisjen lokale reaguan  në rrjetet sociale, duke deklaruar se “Nisma” e Prizrenit, (që udhëheq Drejtorinë e  Arsimit) ka arritur që shumicën absolute të emrave të propozuar t’i nominojë militantët apo aktivistët e saj. Me këtë rast janë bërë edhe deklarata për mundësinë e daljes nga koalicioni.

Burime të besueshme brenda LDK-së thonë se kundërshtimet më të mëdha janë për shkollat në Zhur, Gjonaj e Piranë.

Deklarimet e bëra në forma individuale, kryesisht përmes facebook-ut, duket se do të kalojnë në tavolinë, ku në një takim do të ketë diskutim zyrtar,  në degën e LDK-së në Prizren, në të cilin do të marrin pjesë edhe drejtorët nga radhët e LDK-së në qeverisjen e Haskukës.

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli konfirmoi se nga takimi do të dilet me një qëndrim rreth kësaj çështjeje. “Çdo vendim që do e marrim do jetë vendim i studiuar dhe diskutuar me shumë akter”, tha ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Ndërkaq, Fatmiri Memaj, drejtor komunal për Urbanizëm (LDK) ka thënë se beson që kryetari Haskuka nuk do ta legjitimojë këtë proces të konkursit, ndërsa LDK kërkon ta korrigjojë atë.

I pyetur nëse LDK do t’i kërkoj Haskukës sërish anulimin e konkursit për drejtorë, Memaj, u shpreh se beson se ka mekanizma ligjorë që të ndërmarrë diçka në këtë drejtim.

Në LDK-thanë se po presin kthimin në Prizren, të kryetarit Haskuka që ndodhet jashtë,  për të parë qëndrimin e tij përfundimtar rreth listës për drejtorë dhe pastaj nga kjo varet edhe e ardhmja e tyre në koalicionin qeverisës në Prizren.

Në anën tjetër, subjekti më i madh në Prizren, por që siç dihet ndodhet në opozitë, PDK ka ftuar konceptin institucional të LDK-së, si partnerë të koalicionit qeveritar, të dalë me qëndrim të çartë politik, siç thuhet “për këtë proces të fundosur në pazarllëqet politike e familjare”./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.