Kuvendi i Komunës së Prizrenit (KK) në mbledhjen e sotme ka paraparë, që edhe një herë ta shtrojë çështjen e miratimit të propozim-buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2021, që pati dështuar në seancën e paraparë brenda aftit, në shtator, transmeton Gazeta e Prizrenit.
Pas kësaj pati reagime nga opozita, sidomos pas njoftimit se Ministria e Financave ka marrë 5 milionë e 524 mijë euro nga buxheti i Komunës dhe vendosjes në fondin rezervë të Qeverisë së Kosovës.
Pas kësaj pati edhe një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje të kërkuar nga LDK në opozitë, por aty nuk mori pjesë kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.
Nga ajo që është dukur së fundi gjatës mbledhjes së Komitetit për Politikë e Financa të KK-së, del se ka përafrim të qëndrimeve të partive në pushtet me GK të LDK-së. Siç është deklaruar nga zyrtarë të Drejtorisë për EF, ka pasur pajtime për arritjen e një buxheti të përbashkët, dhe se ndryshimet në Projekt-buxhet kanë të bëjnë me investimet kapitale ku do të shtohen edhe disa projekte të kërkuara nga LDK.
Pra, pika më interesante e kësaj seance, pritet të jetë shqyrtimi dhe miratimi i Propozim- buxhetit për vitin 2021 si dhe parashikimi për vitet 2022-2023.
Një ndër pikat tjera, është edhe ajo rreth informatës mbi ndarjen e subvencioneve të ndara nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale dhe të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të cilën ka pasur kritika dhe se janë paralajmëruar kërkesa për anulimin e ndarjes së tyre.
Pos tjerash, KK pritet që sot të shqyrtoj edhe këto pika:
-Shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për caktimin e normave tatimore pěr tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2021;
– Shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për formimin e Komisionit komunal të aksionareve të Ndërmarrjes Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve”- Prizren;
– Raporti i punës i Zyrës – Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi giinore;
-Informatë rreth raportit të realizimit të buxhetit të Komunës së Prizrenit për periudhën janar-qershor dhe janar-shtator 2020;
– Diskutim rreth raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Prizrenit për vitin 2019;
-Shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për shpalljen e ankandit-tenderit publik për dhënien në shfrytëzim me qira të pronës komunale objekteve-lokaleve si dhe hapësirës publike me afatshkurtër dhe formimin e komisionit vlerësues dhe komisionin e ankesave, dhe disa pika të tjera.
Mbledhja do të mbahet, nga ora 10:00, në sallën e mbledhjeve të KK, në “Shtëpinë e Bardhë”./GazetaePrizrenit.net