A do të ndryshojë bashkëqeverisja e Totajt me partnerët aktual?
Në Prizren tashmë po flitet për mundësinë e një konfigurimi të ri të koalicioneve në kuadër të qeverisjes lokale, raporton “Gazeta e Prizrenit”.
PDK që mban qeverisjen pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, dhe që në bashkëqeverisjen aktuale ka AAK-në dhe Nismën, sipas informacioneve duket se po kërkon partner të ri.
Burimet flasin se kjo po ndodh për shkak të raporteve të përkeqësuara me Nismën dhe pakënaqësive të kryetarit, Shaqir Totaj me disa drejtorë komunal nga AAK, ndërsa fokusi është drejtuar te LDK, si mundësi për koalicion të ri.
Në LDK e pranojnë se për këtë ka pasur një takim, por nuk ka asgjë konkrete. “Në LDK ka dy qëndrime. Ka disa që janë të gatshëm për të hyrë në koalicion me PDK-në, ndërsa kundërshtimet janë nga qendra”, tha një burim i besueshëm i portalit “Gazeta e Prizrenit” nga ky subjekt.
Sipas tij, vështirësitë dhe paqartësitë në LDK qëndrojnë derisa të zgjedhet kryetari i degës.
Në rast se LDK hyn në koalicion atëherë ajo do t’i merrte gjashtë resorët komunal, të cilët aktualisht i kanë AAK dhe Nisma, përkatësisht Urbanizmin, Administratën dhe Turizimin (NS) dhe Shëndetësinë, Mirëqenien sociale, Emergjencën (AAK).
Por, burimet flasin se nëse LDK pranon të jetë pjesë e pushtetit lokal, atëherë si opsion do të jetë edhe ndërrimi i drejtorive, duke përfshirë edhe të tjera të cilat aktualisht i mbajnë partnerët politik të PDK-së.
Lëvizjet e tilla kanë nisur për shkak të kritikave ndaj qeverisjes së Totajt, i cili në fillim të mandatit ishte zotuar për analizimin e performancës së tij qeverisëse, pas gjashtëmujorit të parë, ndërsa më vonë kjo është thënë se do të bëhet në vitin e parë, që i bie në fillim të janarit.
Në fakt, LDK pat refuzuar ofertën e PDK për bashkëqeverisje në Prizren, që në fillim të formimit të ekzekutivit lokal. /GazetaePrizrenit.net