Editorial: A e injoroi Shaqir Totaj – Hasin, asnjë kandidat në top-10 të listës së PDK-së
Pas prezantimit të kandidatëve për Kuvendin Komunal të Prizrenit, në listën e PDK-së, publikuar nga kryetari Shaqir Totaj ( PDK ), bie në sy mospërfshirja e asnjë kandidati nga rajoni i Hasit në top 10-shen e parë – pjesë e listës që tradicionalisht konsiderohet si më e votuara dhe me më shumë gjasa për të siguruar ulëse në Kuvend.
Ky qëndrim i qartë vjen paradoksalisht nga vetë Totaj, i cili është me prejardhje nga Hasi dhe që në balotazhin e vitit 2021 fitoi pikërisht falë mbështetjes masive nga ky rajon, që u tregua vendimtare në fitoren e tij ndaj Haskukës. Megjithatë, në listën aktuale, kandidati i parë hasjan renditet vetëm në pozitën 13, një pozicion më i vështirë për arritjen e përfaqësimit.
Për më keq, para këtij numri është renditur një mësuese e gjeneratës së Totajt, në prag të pensionit, pa kontribut partiak, e cila madje ishte e emëruar nga Mytaher Haskuka si u.d/ drejtoreshë në një shkollë fillore.
Në kontrast me këtë qasje, partitë e tjera si LDK, Vetëvendosje, AAK dhe Guxo kanë përfshirë kandidatë nga Hasi në 10-shen e parë. Madje, Bashkimi Demokratik ka shkuar edhe më larg, duke vendosur në krye të listës Shukri Qunin – një veprimtar i njohur nga ky rajon.
Qasja e Totajt ndaj figurave të respektuara nga Hasi mund të jetë pasojë e rezultateve të dobëta të PDK-së edhe në zgjedhjet parlamentare të shkurtit. Pavarësisht vetëlavdërimeve të shpeshta për “sukseset” e mandatit të tij, realiteti në terren dëshmoi të kundërtën. PDK pësoi humbje të ndjeshme në shumë zona, përfshirë edhe bastionet tradicionale të saj, madje edhe në vendlindjen e vetë Totajt, në Gjonaj të Hasit, ku PDK doli në vendin e tretë, pas VV-së dhe LDK-së.
Edhe pse Totaj është me prejardhje nga Hasi, ky fakt nuk është pranuar gjithmonë pa rezervë nga banorët e kësaj zone. Mungesa e kontakteve të rregullta me komunitetin dhe ndjenja e distancës që ka shoqëruar marrëdhënien e tij me rajonin , kanë bërë që shumë zëra lokalë të mos e ndjejnë si përfaqësues të tyre të vërtetë. Kjo shkëputje e perceptuar, sipas shumë analistëve lokalë, ka ndikuar edhe në humbjen e Totajt në zgjedhjet komunale të vitit 2017, ku mungesa e mbështetjes së fortë nga Hasi rezultoi faktor i rëndësishëm.
Nuk dihet nëse veprimi i fundit është i qëllimshëm për ta margjinalizuar Hasin, apo një kalkulim i gabuar politik?
Çfarëdo që të jetë e vërteta, në politikë – anashkalimi nuk kalon pa pasoja. / Gazeta e Prizrenit
Lexo edhe:
Editorial: Totaj lë jashtë Kryesuesen, por fut në listë “drejtoreshën e zarfit” të Haskukës