“A e shkele policin majmun”, “M’keni sha me nanë”/ Ndalohet i riu që tentoi ta shkel zyrtarin policor
Një incident mes një të riu që dyshohet se tentoi ta shkelë një zyrtar policor u bë sebep që të plas sherri mes Policisë e të dyshuarit, mbrëmë në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë. I riu, po dyshohet se fillimisht nuk është ndalur kur Policia i ka dhënë shenjë, e më pas ka tentuar ta godas me automjet një polic.
Sinjali mëson se zyrtari policor ka tentuar t’iu shmanget duke ikur, por që i dyshuari pas disa minutash është aksidentuar, veçse me një automjet zyrtar të Policisë.
Ky aksident trafiku është përcjellë edhe me një përplasje mes një zyrtari policor dhe të dyshuarit, ku fillimisht polici i thotë “zani mos të nihet”, teksa i dyshuari ia kthen “çka të kam bo o vlla”.
Fjalosja vazhdon dhe polici dëgjohet duke iu përgjigjur me fjalët ”A e shkele policin majmun?”, ndërsa i riu pretendon se e kanë sulmuar e sharë dhe ia kthen ”Pse m’doli ai në udhe, m’keni rreh, m’keni sha me nanë”.
Kjo situatë ka bërë që Policia t’ia vë prangat të dyshuarit, i cili pasi është shoqëruar në stacion policor, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.