05-10-2025

A është “Qeshja-Tallje” kur s’ka asgjë për të qeshur?!

Nga Asllan Bekteshi:

Nëse ka diçka për të cilën asnjë kryetar komune i Kosovës nuk mund t’i afrohet (as përafërsisht) kryetarit të Prizrenit Shaqir Totaj, ajo është buzëqeshja e tij (im) pozante.

Madje, Qeshja e Shaqës nuk është dosido, por deri te veshët e lakmueshme edhe për komedianin e madh të Hollywood-it Robin Williams!

Sikur këto zgjedhjet lokale të ishin për mjeshtërinë e qeshjes e jo për mjeshtrin qeverisjes, Shaqa jonë lirisht do të mund të konkurronte edhe për kryetar të Stambollit.

Por, meqë çdo kryetar komune matet vetëm me projekte e zhvillim infrastrukturor të qytetit, këtu ngrinë pak qeshja e Shaqës.

P.sh. kryetari i Prizrenit tregoi se nuk mund t’i afrohet as deri te rripi homologëve të tij fqinj në Malishevë e Suharekë, për sa i përket transformimit modern të qytetit.

(E të mos flasim për kryetarin e Ferizajt, i cili krahasuar me Shaqën prej Prizrenit ka një diferencë prej kryetari të bashkisë së New-York-it. )

Mister ( jo buzëqeshja ) pa përgjigje për shumkë në Prizren mbetet çështja: kur qesh Shaqa me kaq frenetizëm: a qesh pse e ka dhuratë nga Zotit apo dhuratë nga vota ( e prizrenasve ) për të cilët jo ma pak se 4 vjet nuk “çau trapin” me realizu biles një projekt për t’i thanë “mashallah”!

Nganjëherë të shkon mendja, mos Shaqa që fitoi me balotazh për krejt pak vota ndaj kundërkandidatit Mytaher Haskukës para 4 vitesh, i ndihmoi pikërisht buzëqeshja që mori (në qafë ) Prizrenin.

Me gjasë Po!

Dhunti tjetër nuk ka pa Prizreni këto 4 vjet nga Shaqa!

Hipotezën e bënë tezë fakti se për këtë fushatë, Shaqa e ka rritë edhe ma shumë qeshjen në intensitet.

Bile tani bashkë me mjeshtrin e qeshjës ( në tv. prezentime “solo” dhe takime me elektoratin) Shaqa po përdorë edhe mjeshtrinë e ngjeshjes ( premtime fjalësh ), të cilave dhe pse u ka skaduar afati i përdorimit (që 4 vjet) Shaqa i servon “taze”!

A do t’i hanë prizrenasit…me çfarë apetiti…dhe a do t’i buzëqesh sërish Pushteti-Qeshjës së Shaqës…?…mbetet të shihet më 12 tetor.

P.S.

Nëse fiton i meriton të gjitha urimet…dhe unë ndoshta s’kam pse të pendohem që mendoj se Qeshja është tallje kur s’ka asgjë për të qeshur…!

P.S.
Shkrimet e në këtë rubrikë  janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.

Asnjë koment

Comments are closed.