17-01-2026

A i pret burgu manipuluesit e zgjedhjeve? Flet Arianit Koci

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen. Sipas përditësimit të fundit në faqen e KQZ-së, 312 nga 914 vendvotime janë numëruar. Nga ky proces verifikimi disa kandidatëve brenda partive i janë hequr votat e disa të tjerëve janë shtuar ato.

Avokati Arianit Koci në një prononcim për Indeksonline, ka folur rreth manipulimit dhe keqpërdorimeve gjatë zgjedhjeve. Ai ka theksuar se këto veprime janë ndërhyrje direkte në vullnetin e qytetarëve dhe goditje ndaj funksionimit të shtetit.

“Manipulimi i votave është tradhëti ndaj qytetarëve dhe shtetit. Për këtë fenomen kam folur shumë herë. Tash është bërë edhe më e dukshme: manipulimet po ndodhin dhe, në disa raste, në to janë përfshirë vetë komisionerët. Kjo është ndërhyrje direkte në vullnetin e qytetarëve dhe goditje ndaj funksionimit të shtetit,” tha Koci, shkruan IndeksOnline.

Ai ka sqaruar se çdo formë keqpërdorimi në procesin e votimit, përfshirë votimin e shumëfishtë, votimin në vend të dikujt tjetër, presionin apo pengimin e votuesve, përbën vepër penale dhe çon në burg.

“Keqpërdorimet në procesin e votimit qoftë votimi i shumëfishtë, votimi në vend të dikujt tjetër, presioni apo pengimi i votuesve, janë vepra penale që çojnë në burg,” theksoi Koci.

Ai shtoi se manipulimi i rezultateve të zgjedhjeve është edhe më i rëndë dhe se përgjegjësia rritet kur në këto veprime përfshihet dikush me rol zyrtar.

“Ndryshimi i numërimit, fshehja e votave, futja e të dhënave të rreme apo krijimi i votave fiktive e dëmtojnë themelin e zgjedhjeve. Për këto, dënimet janë shumëvjeçare. Komisioneri që futet në manipulime e shkel detyrën në mënyrën më të rëndë të mundshme. Praktikisht, tradhton besimin publik”, shtoi avokati.

Ai gjithashtu përmendi edhe blerjen dhe shitjen e votave ku shtoi se çdo përfitim në këmbim të votës përbën ndërhyrje të paligjshme dhe dënohet po ashtu me burgim

“Çdo përfitim para, shërbime apo çfarëdo forme tjetër në këmbim të votës përbën ndërhyrje të paligjshme dhe dënohet po ashtu me burgim”, deklaroi ai.

Avokati Koci ka bërë thirrje për reagim të menjëhershëm të institucioneve dhe që sipas tij “Kush prek votën, prek shtetin”.

Asnjë koment

Comments are closed.