A pati dallavere me skamnorët në Prizren në kohën e Mytaher Haskukës?
Në muajin nëntor të vitit 2021, komuna e Prizrenit që aso kohë udhëhiqej nga Mytaher Haskuka kishte shpallur një tender. Nëpërmjet tij, synonte përkrahjen e familjeve skamnore e rasteve sociale me material ndërtimor. Më saktë, nga ky tender do të përfitonin 37 familje.
Megjithatë, jo gjithçka po del se shkoi sipas planit. Një pjesë e këtyre familjeve nuk e përfituan materialin ndërtimor si donacion nga komuna e Prizrenit. Kjo pavarësisht, se paratë e shtetit ishin paguar për kompaninë e kontratuar.
Kështu të paktën ka gjetur Auditori në raportin e publikuar për vitin 2021. Nga 37 përfitues, Auditori kishte hetuar shtatë përfitues, ku kishte gjetur se në dy raste, materiali ndërtimor nuk ishte dërguar te personat përfitues.
Si pasojë, vlera e materialit të paguar por që skamnorët nuk e morën ishte mbi 10 mijë e 500 euro, raporton gazeta Nacionale.
“Për kontratën “Furnizimi me material ndërtimor për familjet skamnore dhe rasteve sociale”, për 37 përfitues, më datë 16.12.2021 është kryer pagesa në shumën 98,235€, për të cilën komisioni për pranimin e materialit, më datë 10.12.2021, ka konstatuar se materiali është pranuar si në sasi ashtu edhe në cilësi. Dokumenti i pranimit ishte nënshkruar edhe nga mbikëqyrësi kryesor. Sipas ekzaminimit (për shtatë përfitues), kemi vërejtur se në dy raste, materiali ndërtimor nuk ishte dërguar tek përfituesit edhe pse ekziston fletëdërgesa në emër të tyre. Vlera e materialit të paguar dhe pa pranuar të rasteve të ekzaminuara është 10,783€”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare te Auditimit.
Komisioni që ishte verifikues, kishte dhënë një arsyetim pse një gjë e tillë ka ndodhur.
“Sipas komisionit të pranimit të mallit është nënshkruar raporti për pranim pa verifikuar paraprakisht duke konsideruar se fatura duhet të paguhet me qëllim që mjetet të mos shkojnë si suficit”, thuhet në raport.
Por, cili është rreziku që të paguhen kompanitë, e punët të mos kryhen? “Ekzekutimi i pagesave për rastet e cekura më sipër është në kundërshtim më rregullat/ kontratën, po ashtu, rritë rrezikun që përkundër pagesës së materialit të mos furnizohen fare. Në këto raste rrezikohet arritja e vlerës për para dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve”, ka evidentuar Auditori.
“Kryetari duhet të sigurojë mbikëqyrje dhe kontrolle adekuate/ rigoroze mbi kontratat për projekte kapitale dhe mbi komisionet/organet mbikëqyrëse të punëve/materialit të furnizuar. Po ashtu, menaxhmenti të shtojë mekanizmat për kontroll më të avancuar në mbikëqyrjen e kontratave dhe pagesave për projektet e tilla”, thekson raporti.
Në fakt, pagesa e kontratave të ndryshme pa u përmbushur të gjitha kriteret, është evidentuar edhe në disa raste tjera në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Një automjet për fikjen e zjarrit në vlerë mbi 100 mijë euro, ishte paguar pa raport vlerësimi nga Komisioni përkatës.
“Më datë 25.02.2021, Komuna kishte lidhur kontratë me Operatorin ekonomik për “Furnizim me automjet special për zjarrfikës”, në shumën 119,000€. Operatori ekonomik nëpërmjet procedurës përmbarimore ka kërkuar nga Thesari në Ministrinë e Financave për pagesën e faturës. Fatura ishte e pa nënshkruar nga zyrtarët e Komunës dhe e pa protokoluar në Komunë. Thesari, më 30.12.2021, kishte realizuar pagesën në shumën 121,746€, përfshirë shpenzimet e procedurës përmbarimore në shumën 2,746€”, ka bërë të ditur raporti.
“Komisioni i caktuar nga Komuna nuk kishte bërë pranimin e automjetit me arsyetimin se nuk janë kompetent për pranimin teknik të automjetit”, theksohet më tutje.
Raste të tilla sipas Auditorit, janë rrezik që kontrata të mos zbatohet ashtu siç duhet. “Mos pranimi i automjetit nga komisioni mund të ketë rrezik se automjeti i paguar, mund të mos i plotësoj kushtet dhe kriteret e specifikuara. Më tutje, shpenzimet për përmbaruesin privat e dëmtojnë buxhetin komunal, duke krijuar shpenzime të paplanifikuara të projektit”, thotë raporti.
Auditori në komunën e Prizrenit ka gjetur edhe keqklasifkim të shpenzimeve, tejkalim të furnizimeve etj./ nacionale.com
Lexo edhe: