27-04-2025

A po diktohet nga jashtë Qeverisja e Prizrenit?!

Prizreni, qyteti me trashëgimi të pasur kulturore dhe historike, shpesh përshkruhet si një nga perlat e Kosovës. Megjithatë, pas fasadës së bukurisë dhe potencialit të jashtëzakonshëm, fshihet një realitet i zymtë i keqqeverisjes në nivelin lokal. Disa nga dukuritë më shqetësuese janë keqpërdorimi i pushtetit, nepotizmi dhe së fundi shpeshtimi i kritikave për një kryetar “kukull” dhe vendimmarrje jashtë zyrës së tij, madje nga njerëz të qyteteve tjera.
Pakënaqësitë e shfaqura nëpër takime të ngushta shoqërore,  kryesisht nga veprimtarë meritorë e kontribuues, tashmë po shfaqen në publikime në rrjete sociale nga njerëz të partisë në pushtet apo ata afër saj.

Përforcimi i nepotizmit si sëmundje e rrënjosur

Një prej formave më të shprehura të abuzimit është nepotizmi. Emërimi i të afërmve, miqve dhe militantëve partiakë në pozita kyçe në komunë ka minuar meritokracinë dhe ka shtyrë larg profesionistët e vërtetë, madje edhe duke komprometuar proceset në konkurse, sidomos ato në arsim. Rast konkret është publikimi i audio-incizimit të anëtarit të Komisionit për zgjedhjen e drejtorëve, Arben Shalës, i cili përmend “trikat” , në një proces që u kritikua si i kurdisur. Referuar opozitës, më vonë doli se ai përmes shoqatës përfitoi nga Komuna, afro 50 mijë euro.

Shembull të keq përbën edhe punësimi i djalit të kryetarit dhe nuses së tij, ndërsa mediat e kanë vlerësuar Totajn si kryetarin e komunës, që punësoi më së shumti familjarë, madje pa mbushur as gjysmën e mandatit.
Por, skenarë të tilla, nuk i janë servuar pa qëllim, Totajt, për cilin Prizreni njëherë besoi se nuk do lejonte “manipulime”,  ( marrë parasysh edhe moshën ),  sidomos punësim të familjarëve e degradim të arsimit. Me gjasë këto bëhen për t’ia mbyllur gojën, sa herë që kryetari eventualisht, provon kundërshtimin e të keqes që bëhet në emrin e tij.

Premtime të rreme dhe mashtrime publike

Gjatë fushatave zgjedhore, qytetarëve u premtohej investime të mëdha, parkingje dhe përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë, mirëqenie dhe arsim apolitik. Megjithatë, realiteti pas zgjedhjeve është krejtësisht ndryshe. Disa projekte janë të qeverisjes paraprake të Haskukës, ndërsa disa premtimet mbetën në letër. Këtu po mungon një mekanizëm serioz llogaridhënës, sikurse edhe opozitë aktive për të ndëshkuar mosrealizimin e tyre dhe degradimin. Një projekt Nënkalimi i premtuar në lagjen “Bazhdarhane”, në fund të mandatit po realizohet si rreth-qarkullim, duke bërë përpjekje “t’u shitet mjegull” qytetarëve. Megjithatë kjo nxiti reagime, sa shumëkush nga opozita dhe qytetarët, për shkak të disa mini-projekteve të tilla, qeverisjes së kryetarit ia dhanë epitetin “ Shaqir – rrethi”.
Vetëlavdërimet e Totajt për disa projekte të realizuara, sikur ai i riparimit të kubëzave në qendër, janë zbehur, pasi opozita, por edhe qytetarë e vlerësojnë si investim rreth shtëpisë së kryetarit, për t’ia rritur vlerën asaj.

Nevoja për ndryshim dhe aktivizim qytetar

Situata në Prizren kërkon një reflektim të thellë dhe një angazhim serioz për ndryshim.
Zgjidhja qëndron në ndryshimin e mentalitetit dhe kulturës politike. Qytetarët duhet të marrin rolin e tyre si mbikëqyrës të pushtetit. Pa këto, Prizreni do të vazhdojë të mbetet një qytet me potencial të pashfrytëzuar, i kapur nga interesat e ngushta dhe paaftësia institucionale./Gazeta e Prizrenit/

Asnjë koment

Comments are closed.