25-11-2024

A po hapen shkollat?

Që nga 11 Marsi, për shkak të rrezikut nga pandemia COVID-19, Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për mbylljen e institucioneve shkollore.

Kanë kaluar më shumë se dy muaj prej kur nxënësit e studentët mësimin po e mbajnë në distancë, përmes aplikimit të metodës online. Ndërsa, ende s’ka ndonjë datë se kur të njëjtit do t’i kthehen procesit të rregullt mësimor.

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci për IndeksOnline thotë se në kushtet aktuale, mësimi në distancë ka qenë një domosdoshmëri, sepse e ka kompensuar, as sa ka qenë e mundur, mësimin e rregullt që zhvillohet në shkollë.

“Përndryshe, në asnjë vend të botës nuk parashihet që nxënësit e moshës së vogël të ndjekin mësimet në distancë, prandaj kalimi nga mësimi i rregullt në këtë formë të mësimit nuk ka qenë hap aspak i lehtë, jo vetëm për një vend të vogël si Kosova, por edhe për vendet e zhvilluara. Nga ana tjetër, pandemia ka ardhur pa paralajmërim, kështu që nuk ka pasur kohë të bëhen përgatitjet e duhura. Për këtë arsye, unë e konsideroj sukses vet faktin se është organizuar mësimi në distancë”, thotë ai.

Pupovci shton tutje se përkundër vështirësive është vërejtur një angazhimi madh, si i Ministrisë, ashtu edhe i mësimdhënësve që mësimi në distancë të zhvillohet sa më mirë.

“Me siguri se ka mundur të bëhet edhe më mirë, por duhet të kemi parasysh se te ne mungon përvoja për këtë lloj të mësimit, plus pamundësia për t’i bërë përgatitjet e duhura. Akoma nuk mund të thuhet se ç’ lloj efekti ka pasur mësimi në distancë tek nxënësit. Është fakt se mundësia e përcjelljes së nxënësve nga ana e mësimdhënësve ka qenë më e vogël, ndërsa roli i prindit dhe familjes më i madh.

Në kontekste të caktuara kjo mund të shkaktojë përmbysje të rezultateve të nxënësve, ndërsa në disa të tjera ndikon më pak. Pastaj, duhet të kemi parasysh se ekziston një numër i nxënësve që, për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike, nuk kanë mundur të përfshihen në masën e duhur. Megjithatë, mendoj se çdo boshllëk eventual që ka lëmë mësimi në distancë mund të kompensohet me një organizim më të mirë kur të rifillojë mësimi i rregullt në shkolla”.

Derisa qeveria në detyrë sot mbajti një mbledhje për lehtësimin e masave për Fazën e Tretë që do të nis nga nesër. Përmes një konference të mbajtur për media kryeministri Kurti dhe ministri i Shëndetësisë njoftuan se nga nesër do të hapen çerdhet publike e private nga mosha 0 deri në 5 vjeç dhe niveli parashkollor.

Ndërsa nga data 8 qershor deri më 19 qershor bëhet kthimi klasëve të nënta nëpër shkolla dhe organizohet testi i arritshmërisë i cili do të mbahet me 23 qershor.

Sakaq nga data 15 qershor deri më 30 qershor bëhet kthimi i klasëve të dymbëdhjeta nëpër shkolla dhe organizohet testi i maturës i cili do të mbahet me 4 korrik.

E, Pupovci thotë se ende ekziston rreziku që shkollat të shndërrohen në vatra të përhapjes së infeksionit, ndërsa mendon se muaji shtator do të ishte i përshtatshëm për hapjen e shkollave dhe të njëjtat të mbylleshin më vonë.

“Kjo është pyetje për epidemiologët, sepse shkollat fare lehtë mund të shndërrohen në vatra të përhapjes së infeksionit dhe nuk besoj se kjo është strategjia që ka zgjedhur Kosova.

Është paralajmëruar se një lloj rihapje mund të bëhet në qershor kur organizohen testet kombëtare, por, me respektimin e të gjitha masave të sigurisë që minimizojnë mundësinë e infeksionit. Personalisht, do të isha i kënaqur nëse krijohen kushtet që shkollat të hapen në shtator dhe fëmijët të shkojnë pa merak se do të infektohen.

Por, situata duket ende e paqartë, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën. Mund të ndodhë që shkollat hapen në shtator dhe mbyllen pak më vonë, askush nuk e di këtë. Prandaj, edhe duhet shfrytëzuar kohën që të bëhen përgatitje cilësore për vazhdimin e mësimit në distancë në rast nevoje”.

Ndryshe, IndeksOnline ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Arsimit, në lidhje me të njëjtën temë, por që të njëjtit nuk kanë shprehur interesim të kthejnë përgjigje./IndeksOnline/

Asnjë koment

Comments are closed.