23-11-2024

A po hetohet kompania që po premton 2 mijë vende pune, çfarë thotë policia?

Policia e Kosovës ka demantuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt për kompaninë nga Prizreni e cila po pretendon se do të punësojë 2 mijë kosovarë në Gjermani.

Kompania, “B.S.B  Aviation” e cila po pretendon të jetë ndërmjetësuese e kompanisë “O.B.M Aviation” me seli në Gjermani, për të punësuar 2000 persona, në aeroportin e Hamburgut të Gjermanisë, sot ka ardhur edhe në Prishtinë, për të ua mundësuar aplikimin për punë qytetarëve të interesuar.

Por, për këtë kompani, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka thënë se janë duke e hetuar organet përgjegjëse. Këtë deklaratë të tij, po e demanton Policia e Prizrenit.

Haradinaj para shtatores së heroit Zahir Pajazitit ka thënë se kjo kompani është duke u hetuar.

Por Vesel Gashi nga Policia e Kosovës në Rajonin e Prizrenit i ka thënë Insjaderit se ndaj kësaj kompanie nuk është duke u zhvilluar asnjë hetim. Kjo për shkak se në polici nuk e ka raportuar asnjë qytetarë për ndonjë mashtrim.

“Nuk ka ndonjë element për hetim për shkak se prej këtyre pjesëmarrësve nuk ka raportuar për ndonjë mashtrim apo diçka tjetër. Ai e ka prezantuar në shtëpi të kulturës ka qenë një numër i konsiderueshëm i pjesëmarrësve dhe deri më tani nuk ndonjë rast që është raportuar në polici për ndonjë mashtrim”, ka thënë Gashi për Insajderin.

Asnjë koment

Comments are closed.