24-11-2024

A po mbahet “me zor” koalicioni qeverisës i Haskukës në Prizren?

Për më tepër se një vit, Prizreni udhëhiqet nga Vetëvendosje! që si partnerë të bashkëqeverisjes ka LDK-në, Nismën dhe partitë e komunitetit turk e boshnjak.

Sinjalet e përçarjes të shfaqura vetëm pak muaj pas formimit, qysh pas konkursit të parë për drejtorë shkollash, qershorin e kaluar, jo që nuk u shuan, por treguan se koalicioni i qeverisjes lokale sa po thellohet në krizë, ndërsa pos akuzave ndaj Nismës, tashmë kritikat janë në formë trekëndëshi mes partive kryesore VV-LDK-Nisma, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Kërcënimet dhe akuzat e shfaqura nga vet përfaqësues të pozitës në drejtim të anëtarëve apo drejtorëve pjesë e koalicionit, nëpër rrjete sociale e në mbledhjet e Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit janë dëshmia më e mirë, se koalicioni mezi po mbahet, apo thjesht janë interesat e etshme për pushtet, të disa individëve të cilët po mundohen t’i shtyjnë ditët.

Nga një situatë e tillë e para që u shkëput është partia (boshnjake) NDS. Ndonëse ishte ndër partnerët e para të VV-së, NDS ia dha lamtumirën këtij kompozimi politik vetëm kur në pozitën e nënkryetares së KK-së për minoritete u zgjodh Memnuna Ajdini, nga partia tjetër simotër Vakat, që ishte pjesë e opozitës.

Rezultate imazhesh për koalicioni mes Vetevendosjes LDK dhe Nismes ne Prizren

Përçarjet që nisën pas anulimit të konkursit për drejtorë shkollash nga ana e kryetarit, Mytaher Haskuka, fillimisht në mes të kuvendarëve të VV-së, e më pas edhe atyre të LDK-së në adresë të Nismës, që menaxhon Drejtorinë e Arsimit,  e më pas edhe kundërpërgjigjet e kësaj të fundit ndaj tyre ishin tregues se gjërat kishin filluar të ndryshojnë brenda subjekteve në koalicion, duke paralajmëruar një të ardhme të pasigurt.

Ndonëse përfaqësuesit e subjekteve qeverisëse nuk preferojnë të flasin, si asnjëherë më parë në nivel lokal, kohët e fundit janë shfaqur pakënaqësi, kritika e madje akuza nga kuvendarë të Vetëvendosjes, LDK-së e Nismës.

Mospajtimet e shfaqura nga kuvendarët e LDK-së, që edhe kohë më parë bojkotuan seancën e KK-së dedikuar gjendjes në arsim dhe paralajmërimet për përsëritjen e bojkotit sa herë flitet për arsimin, në shenjë revolte për formën e menaxhimit të drejtorit të Arsimit, Skënder Susurit nga Nisma, si dhe akuzat e forta gjatë mbledhje së fundit të KK-së të kuvendares së VV-së, Mimoza Bushranit, në adresë të Susurit, për “shkelje në konkurse” dhe paralajmërimet për adresimin e tyre në Prokurori, nuk qenë të vetmet që trazuan koalicionin qeverisës.

Një burim me kusht anonimiteti, pranon për portalin “Gazeta e Prizrenit”se koalicioni ka përçarje, për shkak të mospajtimeve të LDK-së me Nismën.

Përveç kësaj edhe Vetëvendosje nuk duket t’i ketë punët mirë me Nismën, të cilën në Prizren e udhëheq deputetit Zafir Berisha, kur dihet se shefja e kabinetit të kryetarit Haskuka, Krenare Koçi ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Berishës.

zafiri

Raporti i forcave politike anëtarëve kryesor të koalicionit në KK është në gradacionin zbritës, me dallim për një asamblist. VV ka 7, LDK 6, ndërsa me kalimin në këtë parti të kuvendarit Shukri Quni (ish-PDK) Nisma është përforcuar dhe ka pesë asamblistë.

Kur dukej se mes subjekteve shqiptare, pakënaqësitë ishin vetëm në drejtim të Nismës, një postim i fundit në “facebook” i asamblistit të LDK-së, Petrit Hoxhajt tregoi haptas se kryetari Haskuka po injoronte nënkryetarin e tij, Eshref Memaj nga LDK, duke mos e informuar për asgjë dhe “duke e ftuar vetëm për vendosjen e luleve mbi varre”.

Duke e akuzuar se Panairi i bizneseve të grave në Prizren “është kryekëput i Lëvizjes Vetëvendosje me taksat e Komunës së Prizrenit”, asamblisti Hoxhaj kishte shkruar se “çdo ditë e më shumë LVV po e tregon veten e saj, se nuk është për një bashkëqeverisje”.

Rezultate imazhesh për haskuka Memaj

Porosia e tij ndaj Haskukës: “Ju vazhdoni me t’juajën ne do të vazhdojmë  tonën”, jo vetëm që është një tregues për funksionimin e koalicionit, por edhe ngre dilemën e qëndrueshmërisë së mëtejme të tij, tashmë kur pakënaqësitë janë në trekëndësh.

Ekzistimin e përçarjeve mes në koalicionit qeverisës e konfirmojnë dhe në zyrtar nga subjekti i komunitetit turk, pavarësisht se nuk preferojnë të flasin hapur. Sipas tyre madje kjo gjendje po reflektohet edhe në azhuritetin e aktiviteteve komunale./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.