A priten ndryshime këtë vit në provimin e Maturës Shtetërore?
Provimi i Maturës Shtetërore 2023, në afatin e parë do të mbahet më 24 qershor, ndërsa Ministria e Arsimit është në përfundim të të gjitha përgatitjeve për organizimin e provimit përfundimtar për maturantët. Ky testim organizohet vetëm në një ditë, ndërsa në test përfshihen katër lëndë: gjuhë amtare, gjuhë angleze, matematikë dhe një lëndë zgjedhore. Njohësit e fushës së arsimit, thonë se ndryshimet në administrimin e testit të maturës janë të nevojshme.
Rreth 24 mijë maturantë pritet t’i nënshtrohen sivjet provimit shtetëror të maturës, i cili do të mbahet më 24 qershor, ndërsa numri i maturantëve mund të ndryshojë, pasi për këtë provim do të paraqiten edhe ata të cilët nuk e kanë kaluar testin vitin e kaluar.
Shefi i Divizionit për Standarde, Monitorim dhe Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, bëri të ditur për Radio Kosovën se janë në përfundim të të gjitha përgatitjeve për mbarëvajtjen e këtij testimi. Ai dha edhe detaje rreth organizimit, ku theksoi se rreth 1 mijë e 700 administrues do të marrin pjesë në këtë proces.
“Janë rreth 170 Qendra të Testimit, ku varësisht nga numri i nxënësve në ndonjë komunë mund të rritet apo zvogëlohet numri i qendrave. Instrumentet e testeve jemi duke i përgatitur dhe me komunat jemi në procesin e caktimi të administratorëve të testit, ndërsa përgatitjet e qendrave fillojnë pak më vonë. Në çdo klasë do të ketë administratorë dhe vëzhgues, por mund të ndodhë që mund ta rrisim numrin e vëzhguesve nëpër qendra të testimit”, tha Elezi.
Ai theksoi se ndryshime në testin e maturës nuk do të ketë, derisa Ligji i ri për Maturën Shtetërore është në proces. Ndërkohë, vitin e kaluar Ministria e Arsimit ka filluar hartimin e koncept-dokumentit për Ligjin e ri të Maturës Shtetërore.
“Jemi në proces të ndryshimit të Ligjit të Maturës. Shpresojmë se Ligji mund të fillojë të aplikohet nga viti i ardhshëm, ndërsa për këtë vit nuk kemi ndonjë ndryshim thelbësor”, shtoi ai.
Ndërkohë, drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, tha se është shumë e nevojshme që duhet të korrigjohet i tërë sistemi i administrimit të procesit të Maturës Shtetërore.
“Testi i maturës nuk do të jetë më ndryshe as këtë vit. Është një sistem i tëri i administrimit dhe përgjegjësisë që nevojitet për t’u korrigjuar nëse me të vërtetë jemi të interesuar të kemi rezultate reale nga ky testim. E keqja është se këto parregullsi janë shndërruar në qëllim në vete të shumë nxënësve dhe është krijuar si diçka shumë normale.
Mungesa e llogaridhënies për shkelësit në testin e maturës, përfshirë këtu edhe vetë administratorët, ka mundësuar dhe vazhdon të mundësojë manipulime në test. Rezultatet e fryra në testin e maturës mund të përdoren gjoja për një performancë të mirë të nxënësve, mirëpo kur të njëjtat ballafaqohen me teste të standardizuara ndërkombëtare, atëherë po prezantohet edhe gjendja e vërtetë e cilësisë në arsim”, tha Qehaja.
Testimi organizohet vetëm në një ditë, ndërsa do të ketë gjithsej 100 kërkesa, nga 25 për secilën lëndë dhe do të zgjasë 150 minuta. Në test përfshihen tri lëndët të obligueshme: gjuhë amtare, gjuhë angleze e matematikë dhe një lëndë zgjedhore. Ministria ka theksuar se kriteri i kalueshmërisë do të mbetet i njëjtë, ndërsa rezultatet do të publikohen me 3 korrik. Afati i dytë do të mbahet më 26 gusht.
Mosrespektimi i rregullave gjatë kohës së testimit, rezulton me përjashtim të kandidatëve nga testimi dhe anulim të tërësishëm të rezultateve të tyre. Në raste të tilla, këta kandidatë mund t’i nënshtrohen provimit në afatin e dytë apo në vitin tjetër.