AAK në Prizren u bë top temë politike, jo vetëm javën e kaluar, por mbase për këto dy vite të qeverisjes lokale të Prizrenit, pasi braktisi koalicionin me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totajn, që deri tash pothuajse nuk është përballur me reagim serioze opozitar, raporton “Gazeta e Prizrenit.
Qëndrimi i AAK-së la pa fjalë shumkë, e madje edhe vetë Kryetarin i cili deklaroi se nuk e ka pritur këtë hap. Për shkaqet e prishjes së bashkëqeverisjes pati deklarata kontradiktore. Totaj deklaroi se AAK doli nga koalicioni, pasi nuk pranoi shkarkimin e drejtoreshës së saj për Shëndetësi, Burbuqe Krasniqi, ndërsa drejtuesit e AAK-së demantuan Totajn si “dezinformues”, duke prezantuar shkresa zyrtare, përmes të cilave ata paraprakisht kishin kërkuar shkarkimin e saj dhe të drejtoreshës, Ramize Sinanaj-Shala (AAK), e cila vazhdon detyrën.
Totaj, tha se drejtoresha e Shëndetësisë është motra e kryetarit të AAK-së, Besnik Krasniqit, ndërsa ky deklaroi se kanë braktisur vetëm Totajn, të cilin e kritikoi për komunikim të vrazhdë dhe se në të ardhmen mund të vazhdojnë me PDK-në, partnerin tradicional nga viti 2009.
Prishja e koalicionit është sfiduese për të dyja palët. AAK-në, aktualisht siç duket edhe Totaj nuk e ka llogaritur si ndonjë faktor, meqë nuk ka ndonjë zë të fuqishëm reagues në dëm të qeverisjes, sidomos brenda Kuvendit Komunal.
Përveç kësaj, nuk dihet si do të veprojnë tutje kuvendarët e saj, siç deklaroi edhe vetë Kryetari i AAK-së, Besnik Krasniqi për “blerje”, kur dihet se deri tash pushteti ka realizuar qëllimet, pikërisht duke joshur asambleistët me përmbushjen e interesave personale, përfshirë punësimin e familjarëve të tyre, madje edhe si drejtor shkolle.
Por a e tregoi si joparimore AAK-në, rasti i prishjes së koalicionit?!
Për këtë parti, ky është rasti i dytë i dorëheqje – shkarkimeve nga Totaj. Para një viti ka dhënë dorëheqje nga pozita si drejtoreshë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Vjollca Kabashi, duke drejtuar akuza për presione e parregullsi në adresë të kryetarit Shaqir Totaj.
Në këtë rast, AAK nuk dha shenja të dukshme në përkrahje të saj, por në bashkëpunim me Kryetarin, ia caktuan pasuesin.
Për AAK-në kjo mund të jetë një eksperiencë, duke i shërbyer edhe për mos anashkalimin e aktivistëve të saj, që kontribuuan shumë si për partinë ashtu edhe për ardhjen e Totajt në pushtet, duke ia mundësuar AAK-së hisen në pushtetin lokal.
Në këtë kontekst, AAK-së, nuk do t’ia laj as deti “mëkatin” ndaj ish-kuvendarit më aktiv, që mund të vlerësohet edhe si ish-koordinator i opozitë së kaluar, Ilir Baldedajt, të cilit nuk iu dha “haku ”, as kur AAK madje mori tri drejtori komunale. Mosmirënjohëse në këtë rast është treguar edhe vetë PDK-ja, e cila falë përkrahjes së Baldedajt arriti t’ia merr Vetëvendosjes postin e Kryesuesit të Kuvendit, duke ia dhënë goditjen e madhe qeverisjes së Haskukës.
Tashmë, mbetet të shihen veprimet e ardhme dhe qasja opozitare e AAK-së. Pikërisht nga kjo varet edhe forcimi apo zbehja e saj. Edhe ashtu Prizreni ka nevojë për veprime opozitare, jo vetëm me deklarime të herëpashershme në Asamble, por edhe në raportimin në organet e drejtësisë të parregullsive të pushtetit. /Gazeta e Prizrenit