27-11-2024

AAK kërkon që të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin 2023 dhe të përfshihet në këtë rishikim rritja e pagave në sektorin publik

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar që të ftohet në interpelancë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri.

Sipas Tahirit, ndërhyrja e qeverisë në strukturën e të hyrave dhe të shpenzimeve buxhetore ka qenë shumë e dëmshme në rrjedhat e zhvillimit në vend duke i ngritur normat e tatimit në njërën anë, e në anën tjetër duke i bllokuar investimet kapitale.

“Vetëm për dy vjet qeverisje janë bllokuar rreth 500 milionë euro të investimeve kapitale, me çka është dëmtuar ekonomia e vendit për rreth 200 milionë euro si pasojë e inflacionit dhe vonesës se investimeve kapitale”, u shpreh ai.

 

 

Tutje, Tahiri tha se gjendja e rëndë socio–ekonomike në vend, e krijuar nga niveli i lartë i inflacionit, rritja e çmimeve të konsumit, shtrenjtimi i çmimit të energjisë dhe vendimi për rritjen e tatimit në pronë, ka bërë që  qytetarët të përballen me vështirësi të shumta.

Sipas Tahirit, rritja e pagave në sektorin publik do të ishte zgjidhje që do të lehtësonte sado pak këtë situatë, pasi kjo është kërkesë e kohës.

“Kjo rritje do të duhej të ndodhte menjëherë me rishikimin buxhetor dhe kjo do të ndikonte në rritjen e konsumit të përgjithshëm por edhe indirekt në rritjen e pagave në sektorin privat. Nëse ky veprim nuk ndodh menjëherë, Kosova rrezikon të zbrazet dhe të mbes pa shumë profesionistë të zotë”, u shpreh ai.

Tahiri tha se kërkesë e grupit parlamentar të AAK-së është që të sillet sa më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës rishikimi i buxhetit për vitin 2023 dhe të përfshihet në këtë rishikim rritja e pagave në sektorin publik!

Asnjë koment

Comments are closed.