Kandidati për kryetar të Prizrenit nga LVV, Artan Abrashi, njoftoi se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar kontratën për rinovimin e tërësishëm të stadiumit “Përparim Thaçi”.
“Myzhde! Prizreni po bëhet me stadium të nivelit europian. Angazhimi i parreshtur i deputetëve të Prizrenit po merr epilog. Ministria e Sportit ka nënshkruar kontratën që do ta transformojë rrënjësisht stadiumin e qytetit “Përparim Thaçi”. Me këtë investim të Qeverisë Kurti në vlerë 13 milionë euro, qyteti ynë do të bëhet qendër kombëtare e futbollit”, ka shkruar Abrashi në Facebook.
Tutje, ai ka treguar planet e tij të ardhshme për stadiumin, në rast se zgjidhet kryetar i komunës së Prizrenit.
“Në mandatin tim si kryetar komune do ta kemi stadiumin e kategorisë 2, me afër 7800 ulëse, të cilin e kemi pritur gjatë. Me këtë do të krijojmë bazën e domosdoshme për ta bërë KF Lirinë kampione të Superligës. Dhe qytetin tonë mikpritës të Lojërave Mesdhetare 2030. Përgëzime për klubin e zemrave tona, për gjithë komunitetin sportiv të qytetit dhe në veçanti për të rinjtë tanë të talentuar që ëndërrojnë karrierë të ndritshme”, ka thënë në fund Abrashi.
Ky investim i Qeverisë në detyrë kap vlerën rreth 13 milionë euro.
Lexo edhe;