Administrata e Gjykatës Themelore në Prizren edhe sot po e vazhdon grevën
Punëtorët e administratës së Gjykatës Themelore në Prizren nga e hëna kanë hyrë në grevë dhe e njëjta po vazhdon edhe sot.
Kjo grevë ka pezulluar thuajse të gjitha seancat, me përjashtim të rasteve të natyrës urgjente, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas njoftimit të Shoqatës Sindikale të Administratës së Gjykatës Themelore në Prizren, gjatë mbajtjes së grevës do të kryhen këto punë: 1. Lëshimi i të gjitha certifikatave dhe vërtetimeve që lëshohen me kërkesë të palës apo institucioneve publike; 2. Lëndët lidhur me propozimet për shqiptimin e masave të përkohshme; 3. Lëndët lidhur me propozimet për shqiptimin e masave të sigurisë; 4. Të gjitha veprimet e procedurës parapake; 5. Lëndët lidhur me pengim posedimin; 6. Të gjitha kërkesat për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit në konfliktet administrative; 7. Lëndët lidhur me dhunën në familje; 8. Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar; 9. Të gjitha veprimet e procedimit të lëndëve lidhur me mjetet juridike në gjykatat e instancave më të larta; si dhe 10. Të gjitha punët dhe shërbimet tjera të cilat sipas legjislacionit duhet të trajtohen me urgjencë nga gjykatat.
Ndryshe, Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 25 janar 2022 ua kishte drejtuar të gjitha institucioneve një kërkesë për realizimin e kërkesave të tyre.
Po ashtu, kjo shoqatë kishte kërkuar që të aprovohet edhe Ligji për Paga, i cili duhet sponsorizuar nga MAP-i, e që sipas tyre, duhet të eliminohen 11 nene, të cilat nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me qëllim që të bëhet balancimi i tri pushteteve dhe gjyqësori si shtyllë e tretë e pushtetit të ketë pavarësinë e tij të plotë funksional, organizativ dhe buxhetor.
Kërkesë tjetër e administratës së gjykatës është edhe rregullimi i pagave me ligj-përafrimin e pagave të punëtorëve të administratës gjyqësore dhe prokurorial, me ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Për shkak se institucionet relevante kanë neglizhuar këto kërkesa, kryesia e Shoqatës Sindikale, nëndegët e saj dhe Shoqata Sindikale e Gjykatës së Apelit më 28 shkurt 2022, kanë marrë vendim që më 1 mars ta fillojnë grevën. /BetimipërDrejtësi