A i ka votat Kurti për krijimin e qeverisë së re, ja ç’deklaron Kusari-Lila
Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje aktualisht është në dy vota mangu për të arritur shumicën parlamentare dhe formimin e qeverisë së re.
Ajo theksoi se me tri vota të NISMA-s dhe tetë vota nga pakicat joserbe, Lëvizja Vetëvendosje qëndron me 59 deputetë në total.
Kusari-Lila shpjegoi se tre vota nga pakicat joserbe mungojnë për shkak të kërkesave “abnormale”, që, sipas saj, janë paraqitur nga këto grupe.
“Nga informatat që kemi, tre prej pakicave jo-serbe nuk kanë dhënë konfirmimin e tyre të plotë për mbështetje të qeverisë. Kanë pasur kërkesa që janë shumë më të rënda se sa kërkesat e mëparshme, ose sesa mund të kërkohet për një mandat“, tha Kusari-Lila, në një intervistë për “Euronews Albania”.
Ajo gjithashtu përmendi se ka dyshime dhe informacione serioze për mundësinë e implikimit të Listës Serbe në këtë proces, duke theksuar se ka presion dhe shantazh që mund të ndikojnë në vendimet e deputetëve nga pakicat jo-serbe.
“Aty ka edhe informacione dhe dyshime serioze se ka implikim dhe presion edhe nga Lista Serbe, për të ndaluar qeverinë Kurti 3, përmes shantazhit dhe presionit që të mos lejojnë që deputetë jo të gjithë nga pakicat jo-serbe të japin mbështetje për Kurti 3“, shtoi mes të tjerash ajo.
Sa i përket tri votave të NISMA-s, Kusari-Lila konfirmoi se Fatmir Limaj ka ofruar mbështetje për qeverinë e re, por ende nuk ka marrëveshje të finalizuar.
“Nga të gjitha pakicat joserbe, janë aktualisht 8 që mbështesin qeverinë, ndërsa ka shprehur gatishmëri edhe kryetari i NISMA-s për tre deputetë e vet. Megjithatë nuk mund të konfirmojë se ka marrëveshje të finalizuar me NISMA-n”, tha Kusari-Lila.