Akademia amerikane: Rasti “Subvencionet” cilësohet storie e suksesit në luftën kundër korrupsionit, lartëson punën e Krimeve Ekonomike
Akademia Ndërkombëtare e Zbatimit të Ligjit, e ka vlerësuar si storie suksesi në luftën kundër korrupsionit, punën e shefit të Sektorit për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës, kapiten Fidan Halitit, me rastin “Subvencionet”.
Ky rezultat ka ardhur nga përdorimi i teknikave hetimore, të cilat kapiten Haliti i ka përvetësuar në trajnimet e ndjekura në këtë Akademi nga hetuesit e FBI-së.
Veç tjerash, Akademia ka theksuar se rasti “Subvencionet” nuk është i vetmi, pasi Haliti ka realizuar me sukses edhe shumë raste të tjera që janë ndjekur penalisht kundër zyrtarëve të profilit të lartë.
“Më datë 28.12.2020, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion – Sektori për Hetimin e Korrupsionit, ankuesi ka paraqitur ankesën e tij, ku ndër të tjera ka deklaruar se ka aplikuar në Agjencinë për Zhvillimin e Biznesit – AZB – Ministria e Bujqësisë për subvencione edhe pse i ka plotësuar kushtet për të fituar këtë subvencionim, vendimi për miratimin e këtij subvencioni është vonuar qëllimisht. Për miratimin e subvencionit, atij i është kërkuar ryshfet nga një inspektor i Ministrisë së Bujqësisë në bashkëpunim me dy zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Bujqësisë. Pas marrjes së këtij informacioni, Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me prokurorin e Prokurorisë Themelore – Prishtinë, kanë filluar hetimet ndaj të dyshuarve në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë – Ministria e Bujqësisë. Ne kemi nisur veprimet hetimore për këtë rast duke zbatuar masat e posaçme hetimore të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale sipas urdhrit përkatës të Gjykatës”, thuhet në raportin e Akademisë. /IndeksOnline/