AKP kthen në pronësi ish-ndërmarrjen shoqërore “NBI Suhareka”
Shkruan: Valon Hoti
AKP prej që ekziston si institucion ka shitur 2065 asete publike përmes 116 të ashtëquajturave valë të privatizimit.
Në mes tyre, fabrika, ndërmarrje publike, toka bujqësore e asete të tjera me rëndësi, të shitura me çmime krejtësisht joproporcionale me vlerën reale që kishin këto asete.
Mijëra punëtorë të lënë pa punë, mijëra hektarë të lënë djerrë, qindra objekte të lëna shkret, dhe po ashtu qindra konteste gjyqësore, ku përgjithësisht kishin të bënin me shkeljen e të drejtave të punëtorëve, pretendimet e oligarkëve të jashtëm e të brendshëm për uzurpim të pronave që dikur ishin të qytetarëve të thjeshtë e deri te mospërmbushja e kontratave edhe ashtu shumë të dëmshme.
Është rasti i parë që AKP kthen në pronësi një aset kaq të rëndësishëm, siç është “NBI Suhareka”, e cila kishte qindra punëtorë, në pronësi 700 hektarë rrush, kurse në përgjithësi 1,170 hektarë tokë.
Ky lajm nuk ia doli dje të jetë as lajmi i orës, se lëre më i ditës.
E meqë këto ditë i kemi “sytë” kah Vushtrria, mirë do të ishte që mediat e shoqëria civile, deputetet e opozita të bënin pyetje se kur AKP do të kthej në pronësi fabrikën e llamarinës si aset me rëndësi e cila kishte mbi 500 punëtorë e prodhonte mbi 120 mijë tonelata llamarinë në vit?!
P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.