Universiteti i Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës mund të hapen për studentë të rinj këtë vit, pas një viti pa akreditim.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) sot vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që të u rikthehet akreditimi institucional për vitin akademik 2020/2021, tri universiteteve publike të cilave iu ishte tërhequr akreditimi vitin e kaluar.
Me këto vendime, Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” dhe ai i Prizrenit “Ukshin Hoti”, mund të regjistrojnë studentë në vitin e ri akademik që fillon në tetor.
Për të tri universitetet rekomandimi i ekspertëve ishte që akreditimi institucional të jetë për tri vite dhe kjo u aprovua nga ana e bordit të KShC-së në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët.
Vitin e kaluar, KShC ua kishte tërhequr akreditimin këtyre universiteteve, pasi që ekspertët kishin rekomanduar një gjë të tillë dhe këto universitete nuk kanë mundur të regjistrojnë studentë të ri gjatë vitit akademik 2019/2020.