Një person ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti të rëndë në segmentin Rahovec-Suharekë, më saktësisht në fshatin Dobërdelan.

Në një prononcim për IndeksOnlinen, Bytyqi bëri me dije se në aksident u përfshinë një automjet dhe një kamion.
“Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i automjetit, mashkull 58-vjeçar, fatkeqësisht ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila ishte pasagjere në automjet, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, deklaroi Bytyqi.

Ai shtoi se njësitet policore dolën menjëherë në vendin e ngjarjes, me ç’rast nisën hetimet relevante për zbardhjen e rastit.
“Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve”, deklaroi Bytyqi./IO
