Aksident në Mushtisht të Suharekës, shoferi godet automjetin e Policisë dhe ikë
Një aksident trafiku ka ndodhur dje pas mesnatës në fshatin Mushtisht të Suharekës ku është përfshirë edhe një automjet i Policisë së Kosovës dhe një automjet tjetër.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se deri te aksidenti ka ardhur pasi vozitësi i një ‘pikapi’ të kuq ka qenë duke lëvizur nga drejtimi i fshatit Dellovc për në Mushtisht, por me të hyrë në këtë fshat ai ka goditur automjetin tjetër, “Shkoda Rapid”.
Shkaku i këtij aksidenti dyshohet të ketë qenë vozitja e pakujdesshme dhe mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes së automjetit.
Siç mëson Sinjali, vozitësi pas aksidentit është larguar në drejtim të panjohur duke mos iu ofruar ndihmë personave të lënduar në këtë aksident.
Nga ky aksident, përveç dëmeve materiale, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe më vonë janë dërguar në Emergjencën e Suharekës.