Aksidenti i autobusit me pasagjerë kosovarë në Kroaci, MPJD jep detaje
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dhënë detaje për aksidentin në Kroaci të autobusit të kompanisë kosovare ‘Deva Tours’.
MPJD ka konfirmuar se në aksidentin e autobusit që kishte rreth 30 udhëtarë, nuk është lënduar ndonjë pasagjer.
“Lidhur me aksidentin e autobusit nga Kosova në Kroaci, nga informacionet e deritanishme, të marra nga autoritetet kroate, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin e gjerë se rreth orës 18:00, një autobus me rreth 30 udhëtarë ka pësuar një aksident në vendin e quajtur Orashac, në afërsi të Dubrovnikut”.
“Sipas informacioneve të deritanishme asnjë nga udhëtarët nuk duket të jetë lënduar dhe as të ketë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në reagim.
Ministria tutje ka bërë të ditur se informacionet rreth këtij aksidenti do t’i përditësojë sapo të ketë të dhëna më të detajuara nga organet kompetente kroate.