23-11-2024

Aksidenti me tre të vdekur në Prizren: Çfarë tha ministri Sveçla, a kishte organizuar gara të tilla edhe më herët ky grup?

Kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për medie, tha se personat që mbrëmjen e së shtunës organizuan gara me vetura duke shkarkuar aksidentin që ua mori jetën tre të rinjve në magjistralen “Ibrahim Rugova”, e kishin bërë të njëjtën gjë edhe më herët.

Sveçla shtoi se kanë biseduar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxhën për “masat që duhet të ndërmerren, sidomos nga Policia e Kosovës në raport me organizimin e garave automobilistike të jashtëligjshme” dhe “për veprimet e ndërmarra nga Policia për rritjen e sigurisë në trafik”.

Ai pohoi se drejtori i Policisë ka marrë masa “lidhur me neglizhencën e zyrtarëve policorë në trajtimin me prioritet të organizimit të garave të paligjshme”.

“Policia e Kosovës, të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në media, të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie dhe rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patent-shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim i këtyre garave”.

Këtë vit, ministri tha se 104 qytetarë kanë humbur jetën në aksidente, ndërsa Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike.

Në mesin e masave të ndërmarra, Sveçla tha se “zyrtarët e trafikut janë pajisur me kamera trupore”.

Asnjë koment

Comments are closed.