Aksion në Prizren, kapen pesë të dyshuar për drogë: Sekuestrohen doza marihuane, para e telefona
Një tjetër rast i shpërndarjes së narkotikëve është zbuluar mbrëmë në Prizren, ku pesë persona janë arrestuar dhe u janë sekuestruar substanca narkotike, telefona e para, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 21 shtator 2025, rreth orës 20:15, në rrugën “Marije Kraja”, ku patrulla policore ka vërejtur të dyshuarit që lëviznin tinëzisht. Njëri prej tyre ka tentuar të fshehë një shishe plastike, por policia e ka gjetur dhe ka sekuestruar aty katër doza marihuanë me peshë 5.98 gramë.
Gjatë kontrollit të automjetit VW Golf 5 ngjyrë të zezë, në pronësi të të dyshuarit, është gjetur edhe një sasi tjetër marihuane me peshë 0.53 gramë. Ndërkohë, në një automjet tjetër, Opel Corsa D, të shfrytëzuar nga i dyshuari tjetër, policia ka zbuluar dhe sekuestruar 16 qese me marihuanë, me peshë totale 29.18 gramë.
Në vazhdim, me urdhër të prokurorit të Krimeve të Rënda, është kontrolluar edhe banesa e njërit nga të dyshuarit në rrugën “Villiam Voker”, por aty nuk është gjetur asgjë e dyshuar. Megjithatë, si dëshmi janë sekuestruar përkohësisht: Pesë telefona mobilë, Një veturë, 30 euro para të gatshme.
Të gjithë të dyshuarit, përfshirë Emir B. rreth 19-vjeçar, Edis O. rreth 29-vjeçar, Orhan S. rreth 28-vjeçar, Arnel A. rreth 29-vjeçar dhe Amil K. rreth 26-vjeçar, janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar në prani të hetuesve të Njësisë për Narkotikë në Prizren.

Hetimet për rastin po i zhvillon DHTN – Njësia në Prizren.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.