Aktakuza e re në Hagë, Hajredin Kuçi dhe Isni Kilaj sot paraqiten për herë të parë në seancë
Ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj do të paraqiten në seancën në Gjykatën Speciale në Hagë, për herë të parë që nga ngritja e aktakuzës ndaj tyre.
Ata do të dalin para gjykatës në procesin gjyqësor që po zhvillohet edhe ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë Bashkim Smakajt, si dhe ish-luftëtarit të UÇK-së Fadil Fazliu.
Seanca ku do të paraqitet Kuçi fillon nga ora 10:00, ndërsa Kilaj del para gjykatës nga ora 13:00.
Thaçi dhe Smakaj, nuk janë deklaruar rreth aktakuzës së ngritur ndaj tyre për ndikimin mbi dëshmitarët.
Ndërkaq, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, është deklaruar i pafajshëm.
Thaçi ishte ai që u paraqit i pari para Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjatë seancës tha se ai nuk do të deklarohet, pasi nuk e ka lexuar aktakuzën në tërësi.
Në paraqitjen e tij, Thaçi tha se “krejt papritmas para 2-3 ditësh” u njoftua për aktakuzën e re dhe nuk ka pasur kohë që ta diskutojë në thelb këtë dokument me ekipin e tij mbrojtës.
Në versionin e redaktuar të aktakuzës prej 15 faqesh, thuhet se Thaçi është takuar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.
Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.