25-11-2024

Aktakuza ndaj kunatës dhe nipit të 67-vjeçares së vdekur në Dragash

Kunata N.A dhe nipi J.A, i viktimës S.D (67-vjeçare) e cila u gjet e vdekur në fshatin Kuk të Dragash, ngarkohen se i shkaktuan dhunë psiqike viktimës, duke e nxjerrë nga shtëpia për të qëndruar në një pjesë të oborrit (qilar).

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 21 dhjetor 2022, thuhet se më 8 nëntor 2022, në fshatin Kuk, Komuna e Dragashit, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, të pandehurit N.A dhe J.A., në bashkëveprim me njëri-tjetrin, kryejnë dhunë psiqike, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare- të dëmtuarës/kunatës dhe hallës S.D.

Aktakuza thotë se në ditën kritike, të pandehurit e nxjerrin nga shtëpia të dëmtuarën, e cila ishte e moshuar dhe me probleme mendore, duke e dërguar për të qëndruar në një pjesë të oborrit (qilar), e kështu i shkaktojnë të njëjtës shqetësim emocional.

Me këto veprime, N.A dhe J.A., ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Dhuna në familje” nga neni 248, par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Ndryshe, S.D u gjet pa shenja jete të hënën në fshatin Kuk të Dragashit, ndërsa rasti është hapur si vdekje e dyshimtë.

Kurse, Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se prokurori ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore.

Po ashtu, Policia përmes një komunikate ka njoftuar se ka qenë një rast i hapur i dhunës në familje, ndërsa theksohet se nuk ka ndonjë të dyshuar apo të arrestuar lidhur me rastin.

Asnjë koment

Comments are closed.