25-11-2025

Aktakuzë ndaj burrit që tentoi t’i vriste me thikë gruan dhe vajzën e tij në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj B.G., i cili tentoi t’i privonte nga jeta gruan dhe vajzën e tij të mitur më 17 tetor të këtij viti.

I dyshuari, kishte sulmuar të bijën dhe bashkëshorten e tij me thikë 13 centimetra, duke iu shkaktuar lëndime të rënda.

“Sipas aktakuzës, më 17 tetor, rreth orës 00:10, në banesën familjare në Prizren, pas një konflikti të çastit me motive xhelozie, i pandehuri B.G., e sulmon me thikë me gjatësi tehu prej 13 cm, bashkëshorten M.A., duke e goditur gjashtë herë dhe duke i shkaktuar dëmtime serioze të organeve të brendshme. Gjithashtu, i pandehuri e godet me thikë edhe vajzën e mitur të viktimës, e cila kishte tentuar të ndërhynte, duke i shkaktuar lëndime të rënda në zonën e krahërorit dhe barkut. Lëndimet e shkaktuara ndaj të dy viktimave janë konfirmuar nga ekspertiza mjeko-ligjore e datës 24.11.2025”, thuhet në aktakuzë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Ndryshe, gjendja e viktimave ishte raportuar si stabile, një ditë pas ngjarjes së rëndë.

Asnjë koment

Comments are closed.