24-11-2024

Aktakuzë ndaj kryeinspektorit të MMPH-së dhe 4 inspektorëve në Prizren, lejuan ndërtimet pa leje në Sharr

Këta 5 persona, sipas Prokurorisë Speciale, akuzohen për lejimin e ndërtimeve pa leje në zonën e Parkut Nacional të Sharrit në Prizren, raporton KTV.

Kuvendi Komunal i Prizrenit, në vitin 2006, në kohën e UNMIK-ut, ka marrë vendim për miratimin e Planit të Përkohshëm Rregullues Urban të Zonës së Prevallës në Parkun Nacional.

Derisa në një vendim tjetër të Ministrisë së Mjedisit, në maj të 2013, urdhërohet ndërprerja e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në atë zonë.

Në këtë vendim thuhet se arsyeja është tejkalimi i kushteve dhe kritereve për ndërtim si dhe mosrespektimi i udhëzuesit të MMPH-së që i është dorëzuar Kuvendit Komunal.

Brenda periudhës 7-vjeçare, inspektorët komunalë, Enver Bytyçi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi, si dhe Ruzhdi Daka, sipas Prokurorisë, nuk i kanë përmbushur detyrat ligjore dhe se brenda këtyre viteve kanë lejuar ndërtimin e qindra objekteve pa leje duke reaguar vetëm në disa raste.

E në një vendim tjetër të siguruar nga KTV-ja, Ministria e Mjedisit, në vitin 2015, revokon pjesërisht vendimin e vitit 2013, duke thënë se kjo ministri do të vendosë kushtet ndërtimore dhe dhënien e lejeve në atë pjesë.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori, me dashje, nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara nga Ministria.

Asnjëri nga inspektorët komunalë nuk kanë dashur të flasin para kamerës, derisa janë të suspenduar për disa aktakuza tjera.

Përmes telefonit, kanë thënë shkurt se janë informuar nga mediat për aktakuzën dhe se nuk e kanë të qartë se për cilin rast bëhet fjalë, pasi që, sipas tyre, kanë kaluar shume vite.

KTV-ja ka provuar që të marrë një përgjigje edhe nga ministri në largim i Mjedisit, Fatmir Matoshi, se a do të marrë ndonjë masë për kryeinspektorin, mirëpo ai nuk u është përgjigjur thirrjeve.

Asnjë koment

Comments are closed.