Aktakuzë ndaj menaxherit të prokurimit në Malishevë
Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 9 mars të këtij viti, ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj Nuhi Shalaj, menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Malishevës, të cilin po e ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Shalaj po akuzohet se ia ka mundësuar një operatori ekonomik në mënyrë të kundërligjshme ta fitojë një tender për rregullimin e varrezave në lagjen “Hoti” në Komunën e Malishevës, i cili kapë vlerën e afro 20 mijë eurove.
Në këtë rast, për mashtrim në prokurim publik po akuzohet dhe biznesmeni Avni Stublla, përkatësisht pronari i njërit nga bizneset që ka fituar tenderin që është objekt i aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, Nuhi Shalaj po akuzohet se në cilësinë e menaxherit të zyrës së prokurimit në Komunën e Malishevës, nga intervali kohor duke filluar nga 19 tetori 2020 e deri më 18 nëntor 2020, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore Avni Stubllës, si dhe operatorëve ekonomik pjesëmarrës në tender.
Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari duke vepruar në kundërshtim me nenin 24, paragrafi 1 dhe nenin 62, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1.1 të Ligjit për prokurimin publik, i ka mundësuar operatorit ekonomik të ofertojë në mënyrë të kundërligjshme si individual dhe në grup të operatorëve ekonomik, përkatësisht Avni Stubllës, pronarit të biznesit “Groweco Shpk” dhe personit të autorizuar për biznesin “Stublla Shpk”, me pronar Ali Stublla, të fitojë tenderin: “Rregullimi i varrezave në lagjen Hoti në Malishevë”, në shumën prej 17 mijë e 182 euro e 87 centë, duke nënshkruar kontratën e punës për operatorin ekonomik fitues të tenderit Nr.03/112, të 18 nëntorit 2020.
Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Avni Stublla, po ngarkohet se gjatë intervalit kohor të lartcekur duke shkelur rregullat për prokurimin publik, gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, ka rënë në vonesë në pagimin e obligimeve, pikërisht tatimit dhe duke iu shmangur kualifikimeve minimale të kërkuara dhe specifikuara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin e kontratës me qëllim ndikimi te autoriteti kontraktues, në cilësinë e personit përgjegjës për bizneset e lartcekura, në mënyrë individuale dhe si grup i operatorëve ekonomik ka ofertuar në mënyrë të kundërligjshme duke fituar tenderin e lartcekur, duke fituar kontratën e punës për operatorët ekonomik të tenderit në kundërshtim me rregullat dhe Udhëzuesin operativ për prokurimin publik me nenin 27, paragrafin 5.
Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.