Aktakuzë për fajde, armëmbajtje pa leje dhe pengim të drejtësisë ndaj gjashtë personave në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër J.Th., I.Th., A.Th., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit nga data 02.10.2024, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Fajdeja” , L.G., dhe D.G., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit nga data 25.02.2025, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” , dhe secili veç e veç ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” , dhe Gj.Th., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, percjell Gazeta e Prizrenit.

Të pandehurit I.Th., dhe A.Th., duke vepruar në bashkëveprim, takohen me të dëmtuarin, të cilin e paralajmërojnë se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 500 (pesëqind) euro kamata mujore, ndërsa më pas kamata javore 50 (pesëdhjetë) euro e më pastaj janë ndryshuar, duke u rritur në kamata në shumë prej 100 (njëqind) euro.
Si rezultat i këtyre tek të pandehurit e lartpërmendur kamatat kishin arritur rreth 11,000 (njëmbëdhjetëmijë euro). Me këto veprime, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.
Të pandehurit D.G., dhe L.G., duke vepruar në bashkëveprim, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit J.A., pasi fillimisht i japin të holla me interes, i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare duke mos pasur mundësi kthimi të të hollave, në muajin Qershor 2024, në lokalin e të pandehurit D.G., takohet me të njëjtin të cilit në emër të shumës prej 2,500 euro në të cilin përfshihet edhe interesi, të pandehurit D.G., ia jep automjetin e markës VW UP i vitit 2018 i cili automjet në çmim është dukshëm më i lartë, për shumën prej 2,500 euro sa ka pasur t’i jap i dëmtuari të pandehurve. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” KPRK-së.
Po ashtu, të pandehurit D.G. dhe L.G., secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
I pandehuri Gj.Th., në periudhën kohore gjatë muajit Nëntor të vitit 2024 e deri në muajin Shkurt 2025, në lokacione të ndryshme në Prizren, ka nxitur dëshmitarin J.A., i cili njëherit e ka cilësinë e të dëmtuarit – viktimës në këtë çështje penale, që i dëmtuari të jap deklaratë të rreme, me qëllim të lehtësimit të procesit gjyqësor të familjarëve të tij -të pandehurve J.Th., I.Th.,dhe A.Th., dhe lirimit të tyre nga masa e paraburgimit, ashtu që i pandehuri në vazhdimësi ka kërkuar nga i dëmtuari që të ndryshojë deklaratën e tij të dhënë më herët kundër të pandehurve, dhe në këmbim të ndryshimit të deklaratës do të hiqet borxhi në tërësi, e duke i premtuar se nuk do të ketë probleme me të pandehurit e lartpërmendur. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare” sipas KPRK-së.
Gjithashtu, prokurori i rastit ka propozuar të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjetit dhe objektit me të cilën është kryer vepra penale si dhe të konfiskohen sendet të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me veprën penale “Fajdeja”, për të cilat janë lëshuar Urdhërat Ndalues Përfundimtar nga Gjykata./Gazeta e Prizrenit