Aktakuzë ndaj tre personave për mashtrim prej 485 mijë euro dhe vepra të tjera penale
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar sot se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës një aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë mashtrim, detyrim, kallëzim të rremë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës, i pandehuri K.K. akuzohet për veprën penale të mbetur në tentativë “Detyrimi”, si dhe për “Mashtrim” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria pretendon se gjatë viteve 2023–2024 ai ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 485 mijë eurosh, duke e mashtruar të dëmtuarin E.N. rreth një marrëveshjeje joformale për shitjen e disa banesave. Sipas dosjes, pas marrjes së shumës, i akuzuari nuk e ka kryer shitjen e pronave.

Ndërkohë, i pandehuri A.M. akuzohet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lajmërim apo kallëzim të rremë”, pasi dyshohet se ka bërë një deklarim të rremë kundër të dëmtuarit E.N.
Personi i tretë i akuzuar, D.M., ngarkohet me veprën penale “Detyrimi”, pasi sipas aktakuzës ka kanosur të dëmtuarin E.N. me qëllim që të përfitojë dobi pasurore dhe ta detyrojë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Rasti pritet të shqyrtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

