15-07-2025

Aktakuzë për keqperdorim të detyrës, ky është mjeku që “detyroi pacienten të lind” në një spital privat

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i krimeve të rënda, ka ngritur sot aktakuzë kundër mjekut S.GJ. për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ai ka kryer veprën penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Mjeku ndaj të cilit është ngritur aktakuza, dyshohet se e ka detyruar pacienten që ta kryente lindjen në një klinikë private në Prishtinë. Klinikë kjo në të cilën punonte i dyshuari.

Indeksonline merr vesh se mjeku ndaj të cilit është ngritur aktakuza është Sabajdin Gjini.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më datë 31 janar 2022, i pandehuri, duke shfrytëzuar detyrën e tij si mjek në Repartin e Gjinekologjisë-Obstetrike të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, dyshohet se nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit personal dhe për t’i shkaktuar dëm material palës tjetër.

Në këtë rast, ai dyshohet se ka refuzuar të kryejë lindjen me operacion të pacientes G.B. në spitalin publik, duke e justifikuar këtë me prezencën e pacientëve të infektuar me Covid-19 në repart. Më pas, i njëjti e ka orientuar pacienten dhe bashkëshortin e saj në një klinikë private në Prishtinë, ku edhe punon si mjek, ku më pas ka kryer vetë operacionin, me ç’rast familjes së dëmtuar u është shkaktuar një dëm material prej 1,500 euro.

Pacientja, sipas aktakuzës, kishte qenë nën kujdesin e mjekut të pandehur gjatë të gjitha kontrolleve mjekësore paraprake, si në spitalin publik në Prizren ashtu edhe në klinikën private të tij në këtë qytet.

 

Asnjë koment

Comments are closed.