Aktakuzë për korrupsion ndaj shtatë zyrtarëve dhe një personi përgjegjës të një kompanie në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S., dhe B.J., të cilët i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj D.N., për keqpërdorim e mashtrim në prokurim publik.
Në njoftim thuhet se sipas aktakuzës, më 4 gusht 2022 në kohë të pacaktuar në Prizren, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, për vlerësimin e ofertave në tenderin “Renovim dhe mirëmbajtje të objekteve të Komunës së Prizrenit”, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, duke mundësuar përfitim grupit të operatorit ekonomik “P.C.G. Sh.P.K.” dhe “A.-T. Sh.P.K.”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Të pandehurit, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Prokurorim Publik dhe në kundërshtim me Rregullat dhe Udhëzuesin e Prokurimit Publik, në atë mënyrë që i akuzuari Xh.D., në cilësinë e kryetarit të komisionit vlerësues, Y.G., dhe Q.K., anëtarë të komisionit, i rekomandojnë autoritetit kontraktues Komunës së Prizrenit, lidhjen e kontratës në vlerë 550.000,00 €, me grupin e operatorit të lartpërmendur, përkundër faktit që pesë operatorë të përgjegjshëm që nuk janë rekomanduar nga komisioni vlerësues, kanë qenë më të lirë rreth 203.47% përkatësisht 202.771.98 € sipas çmimeve mesatare të realizuar për tetë situacione deri më datë 05.08.2024”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, i akuzuari S.V., menaxher i kontratës, e akuzuara L.S., mbikëqyrëse e brendshme, i akuzuari B.J., mbikëqyrës i jashtëm, thuhet se gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre nuk kanë vepruar konform legjislacionit të prokurimit, dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar dëmin autoritetit kontraktues lidhur me keqmenaxhimin e kontratës.
Aty thuhet se i akuzuari E.Sh., në cilësinë e drejtorit të administratës – mbikëqyrës i menaxherit të projektit, ka ndikuar që operatorët ekonomikë gjatë fazës së ofertimit të manipulojnë me çmime për njësi.
Të pandehurit e lartcekur, sipas Prokurorisë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe qëllimisht kanë mundësuar përfitim të dobisë pasurore për grupin e operatorit ekonomik “P.C.G. Sh.P.K.” dhe “A.-T.” Sh.P.K, duke i shkaktuar dëm autoritetit kontraktues – Komunës së Prizrenit, në vlerë prej 412 mijë e 584 euro e 87 centë.
Me këto veprime, të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 2-1, lidhur me par. 3, nëpar. 3.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
“Ndërsa, i akuzuari D.N., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “A.T. Sh.P.K.”, Prizren, me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik, në atë mënyrë që paraqet dokumentacion të rremë sa i përket çmimeve të para- masës dhe para – llogarisë, me ç’rast shumica e pozicioneve kanë pasur çmime jo normalisht të ulëta dhe çmime spekuluese, ku nga 233 pozicione 74 pozicione nuk janë realizuar fare dhe qëllimi i uljes së çmimit në disa pozicione shumëfish nën çmimet e tregut ka qenë fitimi i tenderit”, thuhet më tej.
Me këto veprime, D.N., akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, par. 3 lidhur me par. 1 dhe 2 të Kodit Penal.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.