12-04-2025

Aktivisti Sefaj: Nëse ZRrE e miraton vendimin për rritjen e rrymës, do të ndjekim rrugët ligjore

Sot nga ora 10:00, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) do të mbajë sot mbledhjen ku pritet të merret vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 15%.

Aktivisti Ali Sefaj ka thënë se nëse sot miratohet propozimi i Zyrës së Rregullatorit Energjetik për rritjen e çmimit të energjisë elektrike do të ndjekin rrugë gjyqësore.

Në emisionin Ora Shtatë të Klan Kosovës, ai ka pohuar se nëse sot nxirret një vendim i tillë është i jashtëligjshëm dhe është në dëm të qytetarëve të Kosovës.

“Ne jemi të vendosur për të mos pranuar ngritje asnjë cent më shumë, në fund të ditës secila palë i ka detyrat e saj ne do të avokojmë dhe do të kundërshtojmë me rrugë si qytetarë që kjo vendimmarrje me u ndjek mbrapa”.

“Do t’i ndjekim rrugët gjyqësore, do të ngremë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, vendimmarrja e tyre është arbitrare. Zyra e Rregullatorit Energjetik, konsultimin publik, nuk i ka përfillur legjislacionin në fuqi, sipas Ligjit për Procedurën e përgjithshme Administrative, data e rrjedhjes së afatit apo ngjarjes rrjedh një ditë pasi është nxjerrë vendimi apo ka ndodhur ngjarja”.

“ZRrE, konsultimin publik e ka njoftuar më datën 14 e ka mbyllur më datën 28 që i bie 14 ditë, vetëm kjo në aspektin procedural është e mjaftueshme që Gjykata Themelore në Prishtinë me i vendosë masën e sigurisë dhe në fund me vendosë se kjo vendimmarrje është arbitrare, që është shkelur konsultimi publik që është shkelur ligjin për konsumatorin, që nuk është marrë për bazë proporcionaliteti dhe që është mohuar e drejta e qytetarëve për konsultim publik”, ka thënë Sefaj. /Klankosova.

 

Asnjë koment

Comments are closed.