Dënim deri me burgim të përjetshëm për veprat penale terroriste, çka parasheh Kodi Penal?
Kodi Penal i Republikës së Kosovës ka përcaktuar dënime maksimale për veprat penale terroriste deri në shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm për kryerësit e këtyre veprave penale.
Edhe pse si përkufizim termi “terrorizëm”, dallon nga shteti në shtet, e rëndësishme është që thelbi i tij mbetet i njëjtë në të gjitha legjislacionet e shteteve. Që nga 11 shtatori i vitit 2001 kur ndodhën sulmet terroriste ndaj kullave binjake në SHBA, pothuajse çdo shtet në botë ka miratuar ligje kundër terrorizmit.
Sipas Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, terrorizmi nënkupton një akt ku përfshihet përdorimi i dhunës e kërcënimit, krejt këto me qëllim të shkaktimit të frikës dhe të pasigurisë ndaj individëve, grupit të qytetarëve apo dëmtimin e të mirave materiale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Terrorizëm, veprim terrorist apo vepër terroriste – nënkupton kryerja e një ose më shumë veprave penale të mëposhtme me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë, të detyrimit të padrejtë të një organi publik, qeverisë apo organizatës ndërkombëtare për të kryer ose për të mos kryer ndonjë veprim, apo që seriozisht të destabilizojë ose të shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës, të një shteti tjetër apo të një organizate ndërkombëtare”, përcaktohet në Kodin Penal.
Është e qartë që vepra penale e terrorizmit është një akt i cili përfshin planifikimin, organizimin, ose kryerjen e veprimeve të dhunshme apo kërcënuese me qëllim të shpërndarjes së tmerrit dhe frikës në një grup të madh të njerëzve për qëllime politike, shoqërore, apo ideologjike. Këto veprime të terrorizmit mund të përfshijnë sulme ndaj njerëzve, strukturave të shtetit, objekteve publike, ose infrastrukturës, dhe janë të kryera me qëllim të shkaktimit të dëmeve të mëdha materiale, njerëzore dhe psikologjike.
Në Deklaratën për Masat e Luftimit të Terrorizmit të Kombeve të Bashkuara [nr. 49/60] të vitit 1994, terrorizmi përkufizohet si vepër penale e kryer me qëllim të shkaktimit të frikës në opinionin e përgjithshëm, ndaj grupit të personave apo ndaj personave të caktuar për shkaqe politike, filozofike, ideologjike, racore, etnike, fetare apo shkaqeve të ngjashme.
Përpjekje të definimit të kësaj vepre dallojnë edhe me miratimin e akteve tjera ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Konventa Ndërkombëtare për Ndalimin e Financimit të Terrorizmit, e përcakton terrorizmin në nenin 2.1.b të saj si “çdo … akt që synon të shkaktojë vdekjen ose lëndimin e rëndë trupor të një civili, ose të çdo personi tjetër që nuk merr pjesë aktive në veprimet luftarake në një situatë konflikti të armatosur, kur qëllimi i një akti të tillë, nga natyra ose konteksti i tij, është të frikësojë një popullatës, ose për të detyruar një qeveri ose një organizatë ndërkombëtare të bëjë ose të përmbahet nga kryerja e ndonjë veprimi.”
Legjislacioni në shumicën e shteteve ka definime përafërsisht të njëjta të veprës penale të terrorizmit dhe të cilat parashikojnë dënime të rënda për personat që përfshihen në këto veprime. Qëllimi i këtyre dënime është të parandalohet dhe të ndalohet veprimtaria terroriste dhe të mbrohet siguria dhe stabiliteti i shoqërisë dhe shtetit në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik në një vend.
Në Kapitullin XIV të Kodit Penal, janë paraparë veprat penale kundër rendit kushtetues si dhe veprat tjera penale të terrorizmit ose ato vepra që rrjedhin apo janë të lidhura ngushtë me terrorizmin. Duke përfshirë vepra si: “Kryerja e veprës terroriste”, “Ndihma në kryerjen e terrorizmit”, “Ndihma në kryerjen e terrorizmit”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” dhe një sërë veprash tjera penale.
Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dyshohen se kanë kryer veprat penale: “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
Vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës parasheh dënim me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. Sipas nenit 126, paragrafi 1, ky dënim shqiptohet në këto raste: [1.1. Nëse kryerja e veprës ka shkaktuar vdekjen e një apo më shumë personave]. [1.2. nëse vepra ka rrezikuar jetën e një apo më shumë personave]. [1.3. nëse është përcjellë me dhunë të rëndë ose ka shkaktuar shkatërrime të mëdha], ose [1.4. vepra ka rrezikuar sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Republikës së Kosovës].
Ndërsa, format e kualifikuara të kësaj vepre janë paraparë në paragrafin 2 dhe 3, dashja e kryerësit për të privuar nga jeta një apo më shumë persona dhe nëse veprimet e lartcekura kryhen gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo gjendjes së jashtëzakonshme, kryerësit dënohen me së paku 10 vjet ose me burgim të përjetshëm.
Edhe vepra penale nga neni 129 e Kodit Penal [Kryrja e veprës terroriste], parasheh dënim me jo më pak se 5 vjet burgim, ndërsa kur vepra penale terroriste rezulton me vdekje të një apo më shumë personave, kryerësi dënohet me së paku 15 vjet ose me burgim të përjetshëm.
Shprehja terrorist sipas Kodit Penal nënkupton: “Çdo person fizik i cili: (i) kryen veprim terrorist me çfarëdo mjeti, drejtpërdrejt ose tërthorazi; (ii) organizon apo drejton të tjerët për të kryer veprime terroriste; ose (iii) kontribuon në kryerjen e veprimeve terroriste nga një grup personash që veprojnë me një qëllim të përbashkët, ku kontributi bëhet me dashje dhe me qëllim të avancimit të veprimit terrorist ose me njohjen e qëllimit të grupit për të kryer një veprim terrorist”.
Shprehja Grup terrorist sipas Kodit Penal- nënkupton grupin e strukturuar prej më shumë se dy personave, që ekziston për një periudhë kohore dhe i cili vepron në bashkëpunim për kryerjen e terrorizmit.
Pra, Kodi Penal i Republikës së Kosovës si akte terroriste i konsideron veprat e drejtuara kundër qytetarëve të Kosovës dhe rendit juridik të saj, ashtu si edhe kundër vlerave ndërkombëtare.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq (secilit veç e veç), të cilët dyshohen për sulmin terrorist të së dielës në Banjskë.
Kurse, për të dyshuarin Vladimir Toliq, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të hënën masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht për dyshimet e PSRK-së ndaj tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë. Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, ata dyshohen se bashkë më një grup personash ende të paidentifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme luftarake, të rënda, me dashje, kanë hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.