“Deri tani janë humbur 20 ditë pune nga 180 sa i ka mesatarisht viti shkollor, pra 11% e mësimit. Vërtetë është koha që SBASHK-u të reflektojë për këtë situatë dhe ta shqyrtojë me seriozitet ofertën e Qeverisë.Numri i shkollave që kanë filluar punën është në rritje, por të dhënat nuk i kemi të plota, pasi në shkolla ka mësimdhënës që punojnë dhe mësimdhënës që janë në grevë”, tha Pupovci.
Ndërsa sot, rikthimin e nxënësve në bankat shkollore e ka bërë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Përmes njoftimit, MASHTI ka bërë të ditur se kishin bërë përgatitje që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator por që nuk u realizua për shkak të grevës.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se nesër, (e hënë, 3 tetor 2022), fillon mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. MAShTI i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK. Të hënën, MAShTI do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Ministria njoftoi se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit.
Pas këtij vendimi, është rikthyer debati për cilësinë në arsim, ku procesin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve në formë testi nuk e pranojnë nga SBAShK-u dhe mësimdhënësit.
Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jashara tha se mësimdhënësit pranohen me konkurse të hapura dhe aty dëshmojnë se janë të aftë për punë.
“SBAShK-u është deklaruar para një kohe, madje për këtë është deklaruar edhe MAShT-i, se vlerësim me test të njohurive të mësimdhënësve nuk ka dhe nuk do të ketë. Ne kemi insistuar që të forcohet divizioni i inspektorëve profesional, të cilët do të shkonin në shkollë, në klasë dhe do ta monitoronin me punën që bënë mësimdhënësi në lëndën e tij gjatë procesit mësimor. Konsiderojmë që kjo është zgjidhje e vetme”, tha Jasharaj.