Akuza për çështje arsimore mes opozitës dhe pushtetit në mbledhjen e Kuvendit të Prizrenit
Kuvendi i Prizrenit sot ka patur shumë punë për të bërë, pasi dje Komiteti për Politikë dhe Financa, ia kishte rekomanduar 17 pika të rendit të ditës, numër ky i madh pikash për kuvendarët, ku disa prej tyre në fillim të seancës së sotme, kërkuan reduktimin e tyre, por pas votimit kjo u refuzua.
Në fillim si zakonisht ku ka edhe më së shumti debat mes kuvendarëve por edhe ekzekutivit, ishte pika e pyetjeve të kuvendarëve dhe përgjigjet e ekzekutivit. Kuvendarët parashtruan pyetje të ndryshme, që kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës rrugore, ndriçimit në adresë të drejtorit të Shërbimeve Publike, por edhe çështjen e pranisë së qenve endacakë në qytet për drejtorin e Bujqësisë.

Pyetjeve të këtyre iu dhanë përgjigje drejtori i Shërbimeve Publike, Islam Ukimeri dhe ai i Bujqësisë, Nderim Kadriaj. Ndryshe, kjo pikë zgjoi më shumë debat politik mes opozitës në njërën anë dhe pozitës në anën tjetër, kryesisht më akuza dhe kundërkauza mes tyre për çështje të ndryshme në sektorin e arsimit.

Pas një pauze të shkurtër, seanca më tej vijoi punimet sipas pikave të parapara në rendin e ditës, njofton Tv Prizreni. Por, për shkak të numrit të madh të pikave, seanca u kërkua që t’i ndërpres punimet dhe të vijoj ditën e premte, gjë që edhe ndodhi, pasi një kërkesë e tillë u miratua nga të gjithë të pranishmit në sallë.

Mbledhja vazhdon nesër (e premte), në orën 10:00, me pikat e mbetura të pa shqyrtuara sipas rendit të ditës të miratuar.
Pikat e mbetura sipas të rendit të ditës të miratuar, janë:
– Shqyrtimi dhe miratimi i draft-planit të veprimit për transparencë 2026-2030;
– Raporti i punës së Kryetarit të Komunës janar-dhjetor 2025;
– Raporti financiar vjetor janar-dhjetor 2025;
– Diskutim rreth raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Prizrenit për vitin 2024 dhe planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve për vitin 2024;
– Informatë rreth raportit për planin e Integritetit për vitin 2025;
– Informatë rreth raportit të performancës për Komunën e Prizrenit për vitin 2024.
