11-12-2025

Akuza për ryshfet në rastin e madh të dro*gës ndaj ish-prokurorit Metush Biraj dhe të tjerëve, gjykimi në fund

Procesi gjyqësor ndaj ish-prokurorit Metush Biraj, i cili akuzohet për marrje ryshfeti, bashkë me Shkodran Pulajn dhe Naim Osmanin, që ngarkohen me akuzën për dhënie ryshfeti, ka arritur në fund.

Prokuroria pretendon se Biraj kishte pranuar ofertë me mijëra euro me qëllim që të tërhiqet nga një lëndë e narkotikëve që ishte duke u gjykuar në Prizren, raporton Kallxo. com.

Procesi gjyqësor ku po akuzohet Biraj në cilësinë të prokurorit, më 08.12.2025, është përmbyllur më dhënien e fjalëve përfundimtare nga palët rreth këtij gjykimi.


Prokurorja Speciale, Shenaj Berisha u deklarua rreth vendimit gjyqësor të gjykatës të datës 27.11.2025, në të cilin ia kishte shpallur të papranueshme disa prova prokurorisë, një ndër to, ekzaminimin e telefonit të të akuzuarit Shkodran Pulaj nga ana e forenzikës. Mbrojta e të akuzuarve kishin pretenduar se telefoni i të akuzuarit i ishte ekzaminuar pa pasur vendim të gjykatës.

Rreth shpalljes së provave si të papranueshme nga ana e Gjykatës, PSRK tha se rreth kësaj çështje nuk kishte një vendim të posaçëm nga Gjykata, për t’u ankuar në mënyrë të rregullt, por vendimi është marrë në vazhdën e procesverbalit.

Metush Biraj i akuzuar nga Prokuroria Speciale - FOTO - Laurant Berisha 29.10.2025
Metush Biraj i akuzuar nga PS – foto: Laurant Berisha 29.10.2025

“Detyrohem të rikthehem në një çështje esenciale procedurale, e cila ka pasur ndikim vendimtar në zhvillimin e këtij procesi gjyqësor, e që është shpallja e provave të papranueshme pa nxjerrë aktvendim të posaçëm, por vetëm duke e pasqaruar në procesverbalin e shqyrtimit gjyqësor. Një veprim i tillë është në kundërshtim me parimet e procedurës penale … dhe për t’u ankuar në mënyrë të rregullt kundër një vendimi gjyqësor”- tha prokurorja e Prokurorisë Speciale.

Tutje, PSRK ka thënë se shpallja e provave si të papranueshme është nxjerrë pa asnjë mbështetje ligjore konkrete dhe pa arsyetim.


“Theksoj se provat në vijim janë shpallur të papranueshme vetëm me një procesverbal të shqyrtimit gjyqësor, pa nxjerrë aktvendim të posaçëm dhe pa asnjë mbështetje ligjore konkrete.  Gjykata e ka arsyetuar në procesverbal që provat shpallen të papranueshme me arsyen që ato janë marrë kundërligjshëm duke ia cenuar të drejtat të akuzuarit, arsyetim blanket, pa ofruar konkretizim se cilat dispozita kushtetuese apo ligjore janë shkelur”- tha Prokurorja.

Berisha, pasi elaboroi pretendimet rreth vendimit të gjykatës për provat e papranueshme, kërkoi që seanca të shtyhet, por gjyqtari Lutfi Shala procedoi me fjalën përfundimtare.

Berisha kërkoi që të akuzuarit t’i dënoj sipas ligjit, duke mos gjetur për ta asnjë rrethanë lehtësuese, për sa kohë që numëroi disa rrethana rënduese.

Në fjalën përfundimtare avokatët e të akuzuarve kërkuan nga Gjykata të nxirret aktgjykim lirues për të akuzuarit në mungesë të provave- deklarim që u mbështetën njëzëri nga të akuzuarit.


Avokati Faton Fetahu që mbron Shkodran Pulajn tha se prokurorisë i ka rënë prova kryesore e këtij rasti, ajo mbi të cilën ka qëndruar e tërë aktakuza.

Çfarë thot dosja e Prokurorisë?

Prokuroria Themelore në Gjilan më datë 04.03.2024 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-prokurorit Metush Biraj, Shkodran Pulajt dhe Naim Osmanit.

Sipas aktakuzës, Metush Biraj në cilësi të prokurorit të shtetit në Prokurorinë e Prizrenit, në mes të muajit prill dhe korrik të vitit 2023, ka pranuar ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20,000 euro.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ish-prokurori Biraj e ka pranuar ofertën me kushtin që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në një rast për narkotikë ndaj të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Salihu.

Për këtë rast KALLXO.com në vitin 2017 kishte transmetuar filmimet ekskluzive nga aksioni i Policisë në aksionin e koduar “Lozana”.

Xhirimet ekskluzive kishin shpërfaqur kamuflimin e sasisë së narkotikëve të llojit marihuanë në brendi të dyerve nga druri.


Tutje sipas aktakuzës të pandehurit Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin Metush Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të datës 31.03.2023 të heqë dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve.

Ish-prokurori Biraj ishte tërhequr nga rasti për narkotikë në fjalët përfundimtare më 31.03.2023.

Ish-prokurori Biraj, sipas aktakuzës, ngarkohet me veprën penale – marrje ryshfeti, kurse të akuzuarit Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani akuzohen për  dhënie ryshfeti.

Xhirimet ekskluzive tregojnë se në brendi të dyerve nga druri  është vendosur marihuanë.

Aksioni është zhvilluar në Prizren, Ferizaj dhe katër lokacione në Gjakovë.

Në lokacionin e parë Policia në Prizren, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Gjakovë, gjatë punës operative dhe hetimeve të zhvilluara, arrin të identifikojë një depo në rajonin e Prizrenit, në të cilën dyshohej se ka substanca narkotike. /Kallxo. com

Asnjë koment

Comments are closed.