I akuzuari për sulm ndaj një të mituri, Almin Fazlija, edhe një herë tjetër është deklaruar i pafajshëm.
Në shqyrtimin e dytë të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, Fazlija, i cili po akuzohet se e ka sulmuar të miturin për shkak të një borxhi, ka thënë se nuk ndihet fajtor për veprën që i vihet në barrë.
I njëjti ka shtuar se ka edhe dëshmitarë të cilët e kanë parë se si ka ndodhur ngjarja, e të cilët sipas tij duhet dëgjuar në shqyrtim kryesor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prezent në seancën e së mërkurës ka qenë edhe prokurori Shahadin Destani.
Gjykatësja Sabaheta Kurteshi bëri të ditur se shqyrtimi kryesor për këtë rast pritet të nis më 25 shkurt 2021, në ora 09:30.
Sipas aktakuzës së ngritur me 5 tetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Almin Fazlija akuzohet se me 27 korrik 2020, rreth orës 13:00, në rrugën e Brodit, para furrës së quajtur “Europa”, me dashje përdor forcë ndaj personit tjetër.
Në aktin akuzues thuhet se vepra ndodh si rrjedhojë e një mosmarrëveshje paraprake mes të pandehurit dhe të dëmtuarit-të miturit Z.H., në lidhje me një borxh, ku pas fjalosjes i dëmtuari ka dashur të largohet, mirëpo i pandehuri e pengon duke e shtyrë me duar.
Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “sulm” e paraparë me nenin 187, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi