Albin Kurti në kamp, nuk publikon fotografi për të mbrojtur privatësinë e të strehuarve
Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje në krye me liderin e tyre, Albin Kurti, kanë vizituar sot kampin inovativ në Prizren, ku po strehohen 440 familje të prekura nga tërmeti në Shqipëri.
“Sot një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i prirë nga Kryetari Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, deputetët Artan Abrashi, Yllza Hoti, Arbër Rexhaj, Salih Zyba e aktivistët Drita Millaku, Faruk Dakaj e Karanfil Haxhillari vizituan Kampin ku po qëndrojnë 440 familje të prekura nga tërmeti. Vendosëm të mos bëjmë fotografi në këtë aktivitet”, thuhet në komunikatën e VV’së.
Nga VV thonë se gjithçka po funksionon më së miri, nga kontrollet e mjekëve deri tek shpërndarja e ndihmave nga vullnetarët.
“Të gjitha nevojat elementare janë duke u plotësuar. Ndonëse çdo ditë ushqimi është duke u shtruar nga humanitarë zemërgjerë, në hapësirat e Kampit shpejt do të hapet edhe kuzhina ku do të gatuhet ushqim i freskët për refugjatët. Ish-hapësira e KFOR-it gjerman, sot Park Inovativ, edhe pse nuk mund ta ketë ngrohtësinë e shtëpisë, po ia del mbanë që mërzinë ta zbus. Në emër të organizatës sonë, i falënderojmë të gjithë për punën që po e bëjnë”, thuhet tutje në komunikatë.
“Shteti i Kosovës, Qeveria jonë, i tërë populli ynë kurrë nuk e lë vetëm Shqipërinë. Çfarë ndodhi nuk mund të zhbëhet, por jeta duhet të triumfojë. Këto ditë pikëllimin po e kthejmë në forcë. Ne jemi një komb dhe nuk jemi mysafir te njëri-tjetri, Kosova është shtëpia e juaj sepse kombi shqiptar është streha jonë” /Express/