Aleanca ushtarake Kroaci-Shqipëri-Kosovë”: Në Tiranë pritet të nënshkruhet Deklarata për Bashkëpunimin Trilateral Ushtarak
Në kuadër të një ofensive diplomatike të Kroacisë për forcimin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore, ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës pritet të nënshkruajnë në Tiranë Deklaratën për Bashkëpunimin Trilateral Ushtarak.
Kjo deklaratë, që pritet të firmoset të martën nga ministrat Ivan Anushiq, Pirro Vengu dhe Ejup Maqedonci, synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, shkruan e përditshmja kroate “Vecrenji List”.
“Deklarata përfshin promovimin e aftësive mbrojtëse të të tre vendeve, bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprimit nëpërmjet edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve, kundërvënien e kërcënimeve hibride dhe mbështetjen e integrimit euroatlantik”, shkruan kjo e përditshme kroate.
Pavarësisht nënshkrimit të kësaj deklarate, ajo nuk përfaqëson një pakt ushtarak, por një angazhim për një bashkëpunim më të thellë mes tre vendeve. Kroacia, e cila tashmë ka një histori të bashkëpunimit ushtarak me Shqipërinë përmes NATO-s, po thellon gjithashtu raportet me Kosovën, ku mbi 70 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar trajnimet ushtarake.
“Ministria e Mbrojtjes beson se Kroacia në bashkëpunim me Shqipërinë dhe Kosovën do të jetë më e përgatitur për t’u përballur me sfidat e ardhshme dhe të tre vendet së bashku do të jenë më të dukshme në skenën ndërkombëtare… Duke qenë se kjo është një deklaratë e përbashkët, e nënshkruar në nivel ministrash të mbrojtjes, nuk është një pakt ushtarak, por një forcimi i lidhjeve ushtarake mes tre vendeve të Evropës Juglindore”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e “Vecernji List”. Shiko më pak