Ambasada e Gjermanisë pranon 50 mijë kërkesa në vit për viza
Vendi më i parapëlqyer i kosovarëve duket të jetë Gjermania. Ambasada e këtij shteti në Kosovë brenda viteve 2017 dhe 2018 i ka pranuar rreth 100 mijë kërkesa për viza.
Në një përgjigje për “Zërin” Ambasada e Gjermanisë ka pohuar se edhe për vitin 2019 pritet i njëjti numër kërkesash si në dy vjetët paraprakë.
“Ambasada Gjermane në vitin 2017 dhe 2018 i ka përpunuar 50.000, konkretisht gjithsej rreth 100 000 kërkesa për viza. Ndër to ka kërkesa për qëndrime afatshkurtra (turizëm, udhëtime afariste, etj.), sikurse edhe për qëndrime afatgjata (punësim, studim, bashkim familjar etj.). Për vitin 2019 parashihet që numri i kërkesave të përpunuara të sillet rreth nivelit të periudhës krahasuese me vitet paraprake”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për “Zërin”.
Për shkak të numrit të madh të aplikantëve edhe pritjet janë shumë të gjata. Në Ambasadë pavarësisht se kanë rritur numrin e personelit përsëri është e pamundur të mënjanohen pritjet e gjata, për shkak të kërkesave të mëdha për viza.
“Ambasada Gjermane gjatë viteve të kaluara ka shtuar dukshëm personelin për përpunimin e kërkesave për viza dhe do të punësojë edhe këtë vit personel në këtë seksion, mirëpo kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona, ashtu që kohërat e pritjes janë të pashmangshme”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës./ZERI
Comments are closed.
Për më të rejat nga Gazeta e Prizrenit.