Ambasadorët e QUINT-it nuk shkojnë në takimin VV-LDK
Është bërë ora 17:00, koha kur do të duhej të nis takimi mes VV-së e LDK-së, por në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës aktualisht nuk ka arritur askush nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it, të ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të jenë të pranishëm në këtë takim.
Nuk dihet arsyeja e mospjesëmarrjes së tyre në këtë takim të ftuar nga VV-ja, por ajo që dihet është se vendet e QUNIT-it sot në mesditë janë deklaruar se nuk ndërmjetësojnë në zgjidhjen e ngërçit politik, raporton IndeksOnline.
“Në prag të spekulimeve të fundit, ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të qeverisë në Kosovë. Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, “Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, është deklarata e plotë e përbashkët nga Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara./IndeksOnline/