Osmani kërkon ndryshime kushtetuese: Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese që parashohin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.
Përmes një njoftimi publik, ajo ka bërë të ditur se amendamentet janë hartuar më herët nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës dhe tashmë janë dërguar për procedim në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka njoftuar se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar komisionit të shqyrtojë amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani.
Sipas këtyre amendamenteve, presidenti/presidentja zgjidhen nga populli.
Ai theksoi se këto amendamente mbështeten me arsyetimin se një model i tillë do të ndihmonte në eliminimin e ngërçeve politike që në të kaluarën kanë penguar funksionimin normal të institucioneve dhe kanë rrezikuar stabilitetin institucional.

“Sapo u ngarkuam si Komision për Legjislacion nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, ka thënë Adnan Rrustemi përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.
