24-11-2024

“Andorra”, shfaqja që do të jepet premierë sot në Prizren

Shfaqja “Andorra” do të jepet sot premier në Prizrën, në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” në orën 18:00.

“Andorra” nga dramaturgu i mirënjohur zviceran Max Frisch (1911-1991) është shkruar në vitin 1961 dhe trajton temën e paragjykimit, urrejtjes, krimit dhe gjenocidit.

Ngjarja e kësaj tragjedie është vendosur në një vend fiktiv me emrin Andorra, në të cilin  jeton një djalosh i ri hebre me emrin Andri, i cili në vigjilje të ardhjes së nacizimit ballafaqohet me paragjykimin dhe diskriminimin nga vendasit e Andorrës për shkak të përkatësisë së tij etnike.

Përveç një familjeje që e mbron dhe e trajton me dashuri si djalë të adoptuar, gjithë të tjerët në mënyrë direkte apo indirekte përfshihen në dhunën psiqike dhe fizike që përjeton Andri gjatë zhvillimit të gjithë ngjarjes në këtë tragjedi. Për të mos mjaftuar kjo, në fund ai padrejtësisht akuzohet për një vrasje që ndodh në Andorra dhe mëpastaj kur ‘të zinjtë’ e udhëhequr nga “Gjahtari i çifutëve” zbarkojnë në këtë qytet, ai torturohet dhe ekzekutohet para syve të të gjithëve.

Vepra ka strukturë fragmentare dhe zhvillohet paralelisht në dy periudha kohore: në të kaluarën ku duke trajtuar antisemitizmin zbërthehet fati tragjik i Andrit, dhe në të tashmen ku trajtohet fajësia kolektive, ku pothuajse në formë dokumentare persoanzhët kyç të veprës të gjendur para gjyqit përpiqen të shfajësohen për bashkëveprimin e tyre në vrasjen e Andrit.

Repriza e kësaj shfaqjeje do të jepet të dielën në ora 18 në Teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren.

Shënim: Shfaqja përfshin skena dhune, dhe nuk preferohet për personat e ndjeshëm dhe ata nën 18 vjeç.

Asnjë koment

Comments are closed.