Anëtarja e KQZ-së nga KDTP paralajmëroi dorëheqje, Kryeziu: Alarm serioz për procesin zgjedhor
Anëtarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Mufera Srbica Şinik, ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje nga posti i saj për shkak të një veprimi që e cilësoi si kundërligjshëm.
Këtë paralajmërim ajo e bëri në mbledhjen e djeshme të KQZ-së.
Ndërkaq lidhur me këtë ka reaguar drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu. Kryeziu në një postim në Facebook, ka thënë se paralajmërimi i Şinik se do të japë dorëheqje, është sinjal alarmues.

“Paralajmërimi i znj. Müferra Şinik, anëtare e KQZ-së, se mund të japë dorëheqje për shkak të presionit, është sinjal alarmues për ambientin toksik dhe kërcënues nëpër të cilin po kalon organizimi i zgjedhjeve në KQZ. Ky zhvillim nuk flet vetëm për problemet e brendshme të KQZ-së, por pasqyron edhe klimën e polarizuar politike në të cilën po funksionon ky institucion kushtetues”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka shtuar se që nga themelimi i KQZ-së, është hera e parë që një anëtare deklaron publikisht se nuk po arrin ta ushtrojë mandatin e saj në mënyrë të përgjegjshme, si rezultat i presioneve politike.
“Ky paralajmërim duhet të shërbejë si alarm serioz për institucionet shtetërore të sigurisë, por edhe për vetë partitë politike, të cilat – përmes përfaqësuesve të tyre – po kontribuojnë në krijimin e një ambienti të pasigurt rreth procesit zgjedhor”, u shpreh Kryeziu.

Kryeziu tutje ka theksuar se nëse ky trend nuk ndalet, rrezikohet jo vetëm integriteti i KQZ-së, por vetë besueshmëria e procesit të zgjedhjeve./KN
