23-11-2024

Anulohet ekskursioni i gjimnazistëve të Prizrenit në Brezovicë

Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar nga policia, sot është anuluar ekskursioni njëditor i nxënësve të shkollave të mesme të Prizrenit, për në Brezovicë, nisja e të cilit ishte paraparë mëngjesin e sotëm (e shtunë),  transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Zyrtari për media pranë policisë rajonale në Prizren, Vesel Gashi, ka konfirmuar se para orës 07:00, policia ka asistuar zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit në Prizren, për të anuluar një organizim të shëtitjes njëditore, që ishte ndërmarrë pa pëlqimin e organeve përkatëse. “Ka pasur përpjekje për ta realizuar nismën, por kjo nuk është lejuar, andaj disa nxënës duke rezistuar kanë tentuar ta bllokojnë për 10 minuta, rrugën “De Rada”, afër stacionit të autobusëve, por më pas çdo gjë është sqaruar”,tha ai për “GazetaePrizrenit.net”.

Ekskursioni është anuluar me arsyetimin se ka shkelje të procedurave.

Isuf Kurtaj, zyrtar për komunikim në DKA ka konfirmuar për “Gazeta e Prizrenit” se një grup nxënësish pa lejen e drejtorëve të shkollave kanë njoftuar gjimnazistët, kryesisht përmes rrjeteve sociale që t’i bashkëngjiten një ekskursioni në Brezovicë.

“Pas njoftimit të Policinë se organizimi është bërë pa pëlqimin e drejtorit të shkollës, Policia pasi ka bërë hetimet ka zbuluar organizatorët dhe agjencinë me të cilën do të udhëtonin. Nga policia është kërkuar anulimi”, ka thënë ai.

Sipas Policisë organizatorët vetëm kishin bërë kërkesë në polici, por as policia në Shtërpcë nuk u kishte dhënë leje.  Sipas Ligjit, personat  deri në moshën 18 vjeçare konsiderohen të mitur.

Burime të portalit “GazetaePrizrenit.net”, kanë konfirmuar se për një organizim të tillë janë mbledhur nga 7 euro për një biletë kthyese Prizren-Brezovicë.

Sipas informacioneve,  atje ishte paraparë edhe një koncert humanitar.

Por, meqë organizimi nuk ishte bërë nga shkollat, prindërit e fëmijëve të shqetësuar kishin telefonuar mësimdhënësi dhe shkollat.

Në biletën e shitur shënohej vetëm se nisja do të bëhet në ora 07:00 dhe kthimi në 16:00, dhe se “vendtakimi do të bëhet tek stacioni i autobusëve”, por nuk shënonte se kush është organizatori./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.